
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka dalë në mbrojtje kryediplomat të Kosovës, Donika Gërvallës, e cila dje e quajti Bashkimin Evropian ”tigër nga letra”, raporton Gazeta10.
Berishaj kritikoi mediat shqiptare, duke i akuzuar edhe për trillime. Ai u shpreh se “siç duket, asnjë gazetar as nga Kosova as nga Shqipëria” nuk morën pjesë në Forumin e Dubrovnikut.
“Trillimi i rradhës apo vegëza si këndellje! Për ata që e kuptojnë gjuhën kroate e në veçanti për ata, të cilëve iu intereson e vërteta. Pa efekt për ata të mjaftohen me trillimet e radhës në gjuhën shqipe, te cilat i ofrohen lexuesit rreth “perplasjes” joekzistente të ministres znj Gërvalla me z. Escobar në Forum të Dubrovnikut (ku si duket nuk ka marrë pjesë asnjë gazetar as nga Kosova e as nga Shqipëria!)”, shkroi ai.
Dje, ministrja e Jashtme, Gërvalla, tha se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, Bashkimi Evropian është një “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë.
Kjo bëri që të ketë reagime edhe nga emisarët ndërkombëtar, por edhe nga opozita në Kosovë./Gazeta10