
Ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad, ka thënë se është për keqardhje që Lista Serbe bojkotoi zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në veri të Kosovës.
Konrad ka thënë se serbët e karguar nga institucionet duhet të kthehen sa më shpejt në vendet e punës, duke bërë thirrje që Asociacioni të zbatohet sa më shpejt.
“Serbët e Kosovës, të cilët u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, duhet të kthehen në to sa më shpejt të jetë e mundur. Ky, meqë ra fjala, është edhe një nga obligimet nga Marrëveshja e Brukselit, si dhe obligimi për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Dhe po, Asociacioni tani duhet të zbatohet shpejt, ne jemi të vendosur për këtë”, tha diplomatja gjermane për Danas, transmeton Gazeta10.
Konrad tha se Asociacioni është “obligim kyç i Kosovës në këtë dialog” dhe se duhet të krijohen parakushte për të pa vonesë, por edhe që Serbia të zbatojë të gjitha obligimet e saj.