
Mbrojtësi i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani ka dhënë së fundmi një intervistë për mediumin italian “Radio Kiss Kiss”, ku ka folur për objektivat e Napolit këtë sezon dhe rikthimin e tij nga lëndimi.
Mbrojtësi “Dardan” së pari foli për lëndimin e tij, ku tha se tani e ka tejkaluar atë dhe se po ndjehet mjaft mirë.
“Kisha një lëndim të rëndë, po e kam tejkaluar atë mjaft mirë. Ishte një rrezik se nuk do të kthehesh në 100% tim, por ka kaluar mirë. Pas gjithë punës që e kam bërë me stafin për rikuperim, tani jam shumë i lumtur që jam rikthyer”, tha fillimisht Rrahmani.
Napoli është gjithnjë e më afër titullit kampion në Serie A, dhe Kapiteni i Kosovës shpreson se ekipi të vazhdojë me këtë formë dhe të kurorëzohet me titullin kampion.
“Fakti që jemi 12 pikë larg vendit të dytë është një shenjë se ne po bëjmë punë të mirë, por jemi në gjysmë të rrugës dhe shpresojmë se do të vazhdojmë kështu. Në mendjen tonë ne nuk kemi bërë ende asgjë, por mendoj se ne jemi në rrugën e duhur”, shtoi 28-vjeçari.
Përveç Scudettos, Rrahmani deklaroi se qëllimi i klubit është edhe të shkojnë sa më larg në Ligën e Kampionëve.
“Ne besojmë se do të arrijmë sa më larg edhe në Ligën e Kampionëve sepse kemi bërë paraqitje të mira edhe në këtë kompeticion. Ne e përfunduam fazën e grupeve në vendin e parë dhe nuk ishte e lehtë pasi kishte kundërshtar mjaft të fortë. Shpresojmë se do të arrijmë një rekord edhe në këtë kompeticion”, përfundoi Rrahmani.
Rrahmani po kalon në formë jetësore me Napolin këtë sezon dhe është njëri nga mbrojtësit më të vlerësuar në elitën e futbollit italian.