
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për Kryeministër të vendit, Ardian Gjini, ka zhvilluar një vizitë në Komunën e Suharekës.
Vizitën dhe atmosferën e ngrohtë që e ka përcjellë gjatë këtij qëndrimi, z. Gjini e përshkroi me fjalët më të mira.
“Në ambient të hapur e me atmosferë pozitive na priti sot Suhareka e Bali Muharremaj, që gjithmonë ka ditur të rreshtohet pranë vlerave dhe punës”, ka deklaruar Gjini.
Gjatë këtij bashkëbisedimi të hapur, kandidati për Kryeministër, i shoqëruar nga kandidatët e AAK-së për deputetë, ka prekur temat më të rëndësishme që prekin sektorin e bujqësisë dhe ekonomisë, duke u zotuar për mbështetje të fuqishme e cila u ka munguar nga pushteti qendror.
Ai dha zotime të prera për lehtësimet fiskale në bujqësi dhe fokusin strategjik në ekonomi: Toka që punohet nuk do të tatohet. Të gjitha takimet do të jenë në shërbim të zhvillimit ekonomik.
“Në këtë vend të mrekullueshëm, në dy takime të ndara bashkë me kandidatët për deputetë, takuam profesionistë të shumtë e fermerë që ndanë me ne brengat dhe hallet e tyre të përditshme”, ka shtuar ai pas takimit me fermerët në Suharekë.
Gjini ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për gatishmërinë e qytetarëve të Suharekës që përmes diskutimeve të bëhen pjesë aktive e programit të ri qeverisës, që do t’i japë fund ngecjes shumëvjeçare të vendit.
“Kënaqësi t’ju përgjigjem pyetjeve tuaja kudo që po ju takoj, e faleminderit nga zemra për pritjen e jashtëzakonshme si gjithmonë,” përfundoi Ardian Gjini.