
“Kaos urbanistik” e pati quajtur Prishtinën, Përparim Rama, gjatë fushatës zgjedhore për kryetar të kryeqytetit. Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës vlerësonte se arsyeja ishte “mungesa dhe mosrealizimi i projekteve të mëdha”. Duke premtuar zgjidhjen e këtij problemi të madh, siç e quante ai dhe me 205 premtime tjera, Rama fitoi dhe më 7 dhjetor 2021 u betua si kryetar i Prishtinës.
Shtatë muaj më pas, ideja e tij për t’i dhënë zgjidhje problemeve urbanistike u prezantua në formën e tenderit “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”. Vlera e parashikuar e këtij tenderi, i cili është prokuruar më 21 dhe shpallur më 22 korrik, kap vlerën 12 milionë euro. Tenderi u shpall përmes procedurës së kufizuar.
Pothuaj një muaj e gjysmë pas mbylljes së afatit të aplikimit, Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me kompanitë ofertuese apo ecurinë e projektit. Mirëpo, Albanian Post ka arritur të mësojë se për këtë tender, oferta kanë dorëzuar gjashtë Grupe Operatorësh Ekonomik(GOE). Për më tepër, procesi i përzgjedhjes ka ecur me ritme të përshpejtuara dhe veçse ka dy Grupe Operatorësh Ekonomik që janë në rrethin e ngushtë për ta fituar tenderin.
Nga burime të mirinformuara, mediumi ynë ka kuptuar që, dy Grupet e Operatorëve Ekonomik të cilët pritet ta fitojnë tenderin janë: GOE i përbërë nga ALB Architect SH.P.K; Infra-Plus SH.P.K.; Instituti i Shkencës dhe i Teknologjisë Insi SH.P.K.; NOVUS SH.P.K.; Chapman Taylor LLP dhe tjetri që përbëhet nga F&M Ingegneria Spa; KUTIA SH.P.K.; Atelier 4; SEED CONSULTING SH.P.K..
Konsorciumet tjera të cilat po ashtu kanë ofertuar në këtë tender janë: GOE Ardnatovic SHPK Branch in Kosovo, PBC SH.P.K.; GOE Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit; GOE ABKONS SH.P.K., CRGP.; dhe GOE GJEOKONSULT&CO, INSTANT.AL.
Përtej rregullave dhe mbarëvajtjes së procesit, njohjet dhe grupet e interesit kanë bërë që të dalë në pah fakti veçanërisht problematik që të dy Grupet e Operatorëve Ekonomik të cilët pritet ta fitojnë këtë tender kanë në përbërje kompani të cilat pasur probleme me ligjin apo janë ndërlidhur në raportimet mediale si të afërta me grupet e interesit dhe politikën në Kosovë dhe Shqipëri. Të dy Grupet e Operatorëve Ekonomik kanë relacione të afërta me pushtetin në Tiranë dhe Prishtinë dhe merret vesh se kjo është një ndër arsyet kryesore që mund t’i bëjë fituese të këtij tenderi.
Si po cenohet “Arkitekti i kryeqytetit”?
Projekti që, siç thotë nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka për qëllim t’i ndihmojë Komunës së Prishtinës në konceptimin dhe realizimin e “projekteve të mëdha të cilat i ka premtuar kryetari(Përparim Rama)”, ka rrezik të përfundojë si vizion i së ardhmes në momentin, pa nisur në të tashmen.
Sipas burimeve të njohura mirë me procesin, dymbëdhjetë milionë euro, që paraqesin 13% të buxhetit të përgjithshëm të kryeqytetit, mund të ndahen midis dy Grupeve të Operatorëve Ekonomik, të cilët janë shumë afër të shpallen fitues të tenderit “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”.
Është shqetësues fakti që pjesa dërrmuese e kompanive, pjesë e këtyre GOE-ve, kanë pasur probleme me ligjin apo janë ndërlidhur me afera tenderësh në Kosovë dhe Shqipëri.
Në Grupin e Operatorëve Ekonomik të përbërë nga ALB Architect SH.P.K; Infra-Plus SH.P.K.; Instituti i Shkencës dhe i Teknologjisë Insi SH.P.K.; NOVUS SH.P.K.; Chapman Taylor LLP, me etiketë aplikacioni “KK Prishtine 02./22”, dy prej tyre kanë pasur probleme me ligjin dhe një tjetër fituese e një tenderi, për një projekt që ka mbetur vetëm në letër.
Kompania ALB Architect SH.P.K., përkatësisht drejtori i saj Afrim Demiri, ka qenë i akuzuar për mashtrim. Ai akuzohej se në vitin 2009 në Prishtinë, në cilësinë e drejtorit të kompanisë, në ofertën që e ka paraqitur MASHT-i për tenderin e lartpërmendur, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme nga fondet publike, ka përpiluar kontrata të rreme për 31 persona, gjoja se këta ekspertë apo inxhinierë të diplomuar, kishin lidhur kontratë pune me kompaninë e të pandehurit. Sipas aktakuzës, Demiri këto kontrata i kishte shfrytëzuar si dokumente origjinale në ofertën e tij, duke arritur të vë në lajthitje komisionin për vlerësimin e tenderit. I dyshuar në këtë rast ka qenë edhe ish-minsitri Ramë Buja. Por, në mungesë të provave, më 2018, Demiri dhe të gjithë të akuzuarit tjerë në këtë rast janë shpallur të pafajshëm.
Kompania NOVUS SH.P.K. është e përfshirë në aferën e njohur si ‘Grantet në Bujqësi’, ku i akuzuar është ish-ministri Nenad Rikalo, zyrtarët e lartë të Ministrisë së Bujqësisë Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka dhe zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri. Hetimi i Taskforcës Kundërkorrupsion, që është finalizuar në aktakuzë nga Prokuroria Speciale, pretendon se të akuzuarit me qëllim që t’u mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “ Novus” SH.P.K, për fitimin e grandit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
Kompania Infra-Plus SH.P.K. ka qenë fituese e tenderit për projektin “Hartimi i projektit zbatues për ndërtimin e Autostradës: Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren L? 91 KM”, në vlerë 1.039.532,80 euro. Në këtë kontratë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, që udhëhiqej nga Pal Lekaj, i patën dalur shpenzime shtesë, pasi ministria e ka rritur autostradën edhe për 9 kilometra, rrjedhimisht projekti ka arritur afër 100 kilometra. Kësisoj MIT, përsëri kishte bërë ‘njoftim për dhënie të kontratës’ me procedurë të negociuar për kompaninë “Infra Plus”. Për punët shtesë, në kuotën prej 10 për qind, lera e përgjithshme e kontratës ishte 102.834, 64 euro. Mirëpo, paratë e harxhuara për këtë projekt që ka mbetur në letër kanë shkuar dëm, pasi në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025, Pika 2.13.1 Infrastrukturë rrugore të integruar, parashihet vetëm zgjerimi i rrugëve nacionale Istog- Pejë- Deçan – Gjakovë – Prizren.
Në Grupin e Operatorëve Ekonomik të përbërë nga nga F&M Ingegneria Spa; KUTIA SH.P.K.; Atelier 4; SEED CONSULTING SH.P.K.., nga mediat shqiptare cilësohen si të afërta me politikën në Shqipëri.
Administratori i Seed Consulting SH.P.K., Alban Eftimi, është aksioneri kryesor i “Atelier 4”. Kjo studio ka marrë një varg projektesh të rëndësishme arkitekturore në Shqipëri, të financuara, bashkëfinancuara apo tenderuara nga pushteti qendror dhe pushtetet lokale.
Nga problemet me ligjin, tek lidhjet e afërta me politikën, të gjitha këto kompani rezultojnë pjesë e vorbullës së tenderomanisë në Shqipëri dhe Kosovë. Dhe, që të gjitha, si pjesë e dy Grupeve të Operatorëve Ekonomikë, mund të jenë fituese të tenderit më të rëndësishëm të prokuruar ndonjëherë nga Komuna e Prishtinës. “Arkitekti i kryeqytetit” mund të ridefinohet para syve të arkitektit kryetar të kryeqytetit. Prandaj i mbetet Përparim Ramës të vendosë nëse do të jetë nomen est omen apo vetëm një emër që e përfaqëson rastësisht atë.
Çfarë është “Arkitekti i kryeqytetit”?
Në dosjen e tenderit thuhet se qëllimi i këtij projekti është krijimi i hartës unike të planifikimit të kryeqytetit, krijimi i bazave te shënimeve, krijimi i bazës së sistemit gjeografik të informacionit, krijimi i rregulloreve dhe manualeve të nevojshme për funksionimin e pakove programore për përcjelljen e lejeve, ndërtimeve, mirëmbajtjeve, tatimit dhe shërbimeve komunale dhe krijimi i sistemit interaktiv online të komunikimit me qytetarët.
Krahas kësaj, në këtë dokumentacion është përshkruar edhe gjendja aktuale në kryeqytet.Sipas tyre, ka elemente të trashëguara të planifikimit të cilat janë në zbatim e sipër, një pjesë e tyre vetëm në fazën e planifikimit, komunikacioni i stërngarkuar, objekte të shumta të ndërtuara pa zbatim të plotë të rregulatives përkatëse, shumë të tilla me tejkalime si në sipërfaqe, poashtu edhe në etazhitet, tejkalime në vijat rregulluese dhe ndërtimore, dhe mangësi në trajtimin adekuat në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë së jetës dhe shëndetit.“Janë të evidentuara por jo edhe të sistemuara shkeljet në ndërtim dhe tejkalimet në shumë raste, por të njejtat nuk janë të sistemuara dhe nuk ka rregjistra unnik dhe nuk ka prezentime përkatëse dixhitale apo analoge. Kjo vështërson monitorimin e gjendjes, planifikimin dhe zbatimin e strategjisë së re zhvillimore interaktive të Kryeqytetit”, thuhet në dosje.Në këtë aspekt është përmendur siguria e këmbësorëve, e cila është përshkruar të jetë problematike për shkak të “planifikimit të gabuar apo mosplanifikimit të zonave të sigurta, sinjalizimit të dobët nëpër rrugët e kryeqytetit, dhe moszbatimit të plotë të planifikimit ekzistues”.
Gjithashtu sipas tyre, shërbimi për qytetarin, posaçërisht në lëminë e zbatimit të Planeve rregulluese, nëpëmjet portalit online nuk është mjaftueshëm i promovuar.“Planet rregulluese janë të gjitha të prezantuara me standarde të ndryshme, dhe të njëjta nuk janë të paraqitura së bashku, kështu që planifikimi është kryer parcialisht, me pak përshtatje në zonat përreth. Shërbimi për qytetarin, posaçërisht në lëmin e zbatimit të Planeve rregulluese, nëpëmjet portalit online nuk është mjaftueshëm i promovuar, dhe i mungon ndërlidhja mes drejtorive përkatëse (Urbanizëm, Kadastër, Inspekcion, Plnifikim strategjik…) dhe shërbimeve përkatëse komunale dhe Shërbimeve. Portali qëndron ende në versionin provues “Beta””, thuhet tutje.
Sipas tyre, edhe shërbimet aktuale të portalit kërkojnë një rifreskim dhe një ripërtritje, përshtatje me trendet aktuale, dhe me sasinë gjithnjë e më të madhe të shënimeve të përfshira dhe atyre që do të përfshihen.Si rrjedhojë, me të gjitha problematikat që i kanë përmendur që ekzistojnë në kryeqytet në këtë drejtim, përmes këtij projekti 12 milionësh pritshmëritë në përfundim të konsulencës janë:
– Arritja e objektivit të parashtruar të funksionalizimit të përcjelljes së të gjitha ndërtimeve online, deri te certifikimi final i tyre. Mundësia e përcjelljes se afateve të Shërbimit, mirëmbajtjes dhe sigurisë së pajimeve relevante të objekteve komunale;
-Trajnimi i personelit për shfrytëzimit të veglave programore bashkëkohore, përfshi edhe menaxhimin e informatave të ndërtimit [BIM – Building Information Management];
-Përpilimi i Manualeve te përgatitjes së dokumentacionit për lejet e ndërtimit-Formimi dhe menaxhimi i bazes unike të shënimeve lidhur me ndërtimet, relacionet pronësore, infrastrukturës dhe në veçanti objekteve nën menaxhim direkt, me theks në menaxhimin e mirëmbajtjes së objekteve të Komunës: shkollave, ambulancave etj. në kohë reale;
-Formimi i bazës së shënimeve të kostove mesatare të ndërtimit, meremetimit, mirëmbajtjes, rindërtimit të nevojshëm për vlerësime, për nevoja të prokurimit dhe për planet strategjike të Kryeqytetit;
-Formimi i Hartës Unike të Kryeqytetit, shumështresore, për nevoja të planifikimit, zhvillimit dhe strategjisë së Kryeqytetit, për veprim të shërbimeve të mbrojtjes dhe sigurisë, shpëtimit; për shërbimet komunale, shërbimet e furnizimit dhe të ngjashme; për mirëmbajtje të rregullt dhe për riparime të infrastrukturës tokësore, nëntokësore dhe ajrore;
-Formimi i bazës së rregullave dhe rregulloreve specifike në relacion me Kryeqytetin, të vendimeve të veçanta, në lëminë e planifikimit hapsinor, projektimit të godinave dhe shehseve, kriteret për vendosjen e objekteve të përkohshme, ndajndërtimeve, pajisjeve dhe elementeve mikro – urbane në territorin e qytetit dhe të komunës;
-Formimi i bazës së shënimeve të sublimuara të objekteve sipas kategorive, statusit dhe gjendjes, me pasqyrim grafik dhe në prezantim përkatës tredimensional, volumetrik – hapësinor, përfshi të gjitha shënimet relevante të informacionit, të lidhura me vedi;
.-Formimi i ekipeve profesionale, të rekrutuara nga stafi i komunës, dhe të trajnuara për vazhdimin e dhënjes së konsulencës teknike dhe profesionale, për të siguruar vazhdimsinë e procesit të konsulencës me kryersit e punësuar në Komunë;
-Themelimi dhe ogranizimi i shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit dhe degëve të tij, në fund të procesit të tranzicionit të shërbimit të konsulencës.