
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka në Obiliq, ka prangosur dy zyrtarë komunalë për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe një qytetar për “Legalizim të përmbajtjes së rreme”.
“Rasti i parë: Hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NjRHKEK) – Prishtinë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë trajtuar një rast ku të përfshirë kanë qenë zyrtarë nga Komuna e Obiliqit dhe një qytetar. Dy të dyshuarit: A. B. dhe N.K.Sh. (zyrtarë komunal), dyshohet se janë përfshirë në veprën penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Kurse, i dyshuari R.H., dyshohet se ka kryer veprat penale: ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’ , ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘mashtrim’.”, thuhet në njoftim.
Rasti është trajtuar nën dyshimin se një pronë është tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme.
Të dyshuarit janë intervistuar dhe me aktvendim nga prokurori, R.H., është dërguar në ndalim policor deri në 48 orë, kurse ndaj dy të dyshuarve tjerë rasti do të vazhdohet në procedurë të rregullt./Gazeta10