
Është arrestuar pas më shumë se 30 vitesh nga shpallja në kërkim, Matteo Messina Denaro, bosi më i madh i Cosa Nostra.
Denaro u arrestua nga karabinierët në një klinikë private në Palermo, ku ishte shtruar për kurim.
Denaro konsiderohej si trashëgimtari i “fronit” të Mafias sicialiane, që prej arrestimit të Toto Riina-s në vitin 1993 dhe kalimit në izolim të plotë të mikut të tij, Bernardo Provenzano.
Siç raporton BBC, ai është dënuar me burgim të përjetshëm për rolin e tij në vrasjen e prokurorëve antimafia në vitin 1992, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino. Ai gjithashtu përballet me një dënim të përjetshëm për rolin e tij në sulmet me bomba në Firence, Romë dhe Milano, të cilat vranë 10 persona.
Ai ishte dënuar edhe për dhjetëra vrasje, mes të cilave ajo e të voglit Giuseppe di Matteo, djali i një të penduari që kisht qenë bos i mafias, fëmija u shkri në acid, pasi u mbajt peng për dy vite.
“Sot, më 16 janar, karabinierët … arrestuan të arratisurin Matteo Messina Denaro brenda një strukture sanitare në Palermo, ku ai kishte shkuar për trajtim terapeutik,” citohet të ketë thënë Pasquale Angelosanto, gjenerali i policisë kombëtare të karabinierëve.
Denaro është djali i Don Ciccio-s, bos i degës së Castelvetrano (Trapani), aleat historik i korleonezëve.
16 janari i vitit 2023 do të mbahet mend si dita që i dha fund arratisë së atij që konsiderohej si bosi i fundit i madh i Cosa Nostra.