
Policia e Kosovës në Ferizaj ka arrestuar edhe personin e katërt nën dyshimet për zjarrvënie në objektin e Gjykatës Themelore.
Siç bëhet e ditur me anë të një komunikate, i dyshuari E.R është ndaluar dhe më pas arrestuar në pikën kufitare Hani Elezit dhe është shoqëruar në Polici.
Me vendim të prokurorit, i njëjti është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura të tjera hetimore.
Më herët, hetuesit policorë të Sektorit Rajonal të Hetimeve në bashkëpunim me policët e stacionit të Kaçanikut dhe në mbështetje të Njësisë së Reagimit të Shpejtë arrestuan tre personat e parë dyshuar për veprën penale ‘’Zjarrvënie’’, teksa po e kërkonin edhe të katërtin të dyshuar.
Komunikata e plotë:
Me datën 15.03.2024 hetuesit policorë të Sektorit Rajonal të Hetimeve në bashkëpunim me policët e stacionit të Kaçanikut dhe në mbështetje të Njësisë së Reagimit të Shpejtë pasi kanë arrestuar tre personat e dyshuar për veprën penale ‘’Zjarrvënie’’ në objektin e Gjykatës Themelore, dega në Kaçanik, janë vënë në kërkim edhe të personit të katërt E.R (M/K) i moshës 29 vjeçar.
Në orën 20:00 i dyshuari E.R është ndaluar e më pas është arrestuar në pikën kufitare Hani Elezit dhe është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve, i cili në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar nga hetuesit policorë, ndërsa me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.