
Xhiroja e tetë e elitës së futbollit anglez vë përballë dy skuadra që pretendojnë kreun e tabelës në fund të edicionit.
Arsenal, i drejtuar nga Mikel Arteta do të jetë nikoqir i Manchester Cityt në ndeshjen që zhvillohet sot në “Emirates Stadium”, teksa sfida nis nga ora 17:30.
Arsenali paraqitet në këtë ndeshje pas humbjes 2-1 nga RC Lens në mesjavë në Ligën e Kampionëve, gjersa në Premier League së fundmi kishte mposhtur në udhëtim Bournemouthin me rezultat të bindshëm prej 4-0.
Ndërkohë, skuadra e Pep Guaradiolës udhëton për në kryeqytet pas triumfit në Gjermani ndaj Leipzig, mirëpo në Premier League u mposht herën e kaluar nga Wolves me rezultat 2-1 në “Molineux Stadium”.
Gajtë sezonit të kaluar, gara për titull u zhvillua mes “Gunners” dhe “Cityzens”, me këta të fundit që në fund iu gëzuan triumfit në Ligën Premier.
Në sezonin e kaluar, këto dy skuadra u përballën dy herë në ndeshje kampionale, me Cityn që fitoi në dy ndeshje (4-1 në “Etihad” dhe 1-3 në “Emirates).
Në këtë pjesë të sezonit, Manchester City zë pozitën e dytë në tabelë me 18 pikë, dy më pak se Spurs që e gjejnë vetën në vendin e parë në tabelë. E rivali i përbetuar i Spurs, Arsenali pozicionohet i treti në tabelë me 17 pikë të tubuara, gjersa top katërshen e mbyll Liverpooli me 16 pikë.