Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Vdes Erdogan Celina, ikona e futbollit të Kosovës

Gazeta10
16 August 2026 - 23:11

Ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të shkurtër Erdogan Celina, një prej figurave më të shquara të gjeneratës së artë të futbollit të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili përmes një mesazhi ngushëllimi e ka vlerësuar Celinën si një futbollist ikonë, lider dhe njeri të jashtëzakonshëm.

Celina ishte pjesë e Prishtinës dhe Trepçës gjatë një periudhe historike të futbollit kosovar. Me Trepçën, ai ishte pjesë e finales së Kupës së Jugosllavisë në vitin 1978, ndërsa gjatë karrierës së tij u shqua edhe si kapiten dhe lider i skuadrës.

“Erdogani i përkiste brezit të artë të futbollit të Kosovës, një gjenerate që me talentin, karakterin dhe dashurinë për futbollin ndërtoi kapituj të rëndësishëm të historisë së këtij sporti”, ka shkruar Ademi.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Celina vazhdoi kontributin e tij në futboll si trajner. Ai drejtoi ndër të tjera Lirinë e Prizrenit dhe dha kontribut edhe në ekipin kombëtar U21 të Kosovës.

Ademi ka theksuar se Celina nuk la pas vetëm rezultate dhe kujtime sportive, por edhe vlera, respekt dhe një shembull për brezat e ardhshëm.

“Me ndarjen e Erdogan Celinës, futbolli i Kosovës humbi një prej figurave të tij ikonike, ndërsa komuniteti ynë sportiv humbi një personalitet të rrallë, një lider të një gjenerate dhe një njeri të shkëlqyer”, ka deklaruar presidenti i FFK-së.

Në fund, Ademi i ka shprehur ngushëllime familjes Celina, të afërmve, miqve dhe gjithë komunitetit të futbollit.

“Lamtumirë, Erdogan! Emri yt dhe kontributi yt do të jenë gjithmonë pjesë e historisë sonë. U prehsh në paqe miku im!”, ka përfunduar ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.