Gazeta10

Audio-incizime: Te Hajvalia tentuan ta blinin lojën me KFF Mitrovicën përmes futbollisteve me nga 3 mijë euro

Dyshimet për kurdisje në futbollin e Kosovës assesi të ndalen. Madje, ato kanë kaluar edhe tek futbolli i femrave. Klubi Mitrovica e ka akuzuar rivalen e vetme në futbollin femëror, Hajvalinë për tentim kurdisje të ndeshjes së kaluar mes tyre, e zhvilluar në muajin mars.

Hajvalia dhe Mitrovica do të takohen të mërkurën në Prishtinë në finalen e Kupës së Kosovës. Në kampionat, Mitrovica dhe Hajvalia janë në pozitat 1 dhe 2 të tabelës me pikë të barabarta, nga 53.

Pas disa ditësh ato do të takohen edhe në kuadër të kampionatit, ndeshje e cila pritet ta vendos edhe titullin e kampionit. Skuadra që shpallet kampione i përfiton 10 mijë euro nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe do të kualifikohet në garat e UEFA-s, prej së cilës në start i merr edhe rreth 65 mijë euro të tjera.

Por, përfitimet mund të rriten dukshëm, varësisht nga ecuria në garat e UEFA-s. Ndeshja e parë mes tyre, e zhvilluar më 4 mars, kishte përfunduar baras, 1:1.

Mirëpo, mitrovicasit po pretendojnë se para asaj ndeshjeje Hajvalia i ka tejkaluar suazat sportive pasi ka tentuar t’ia blejë futbollistet e tyre që t’ia lëshojnë lojën.

Pra, Hajvalia po akuzohet nga mitrovicasit për mit-dhënie në tentim për ta kurdisur ndeshjen në mes tyre. Para finales së Kupës, fituesja e së cilës shpërblehet me 5 mijë euro, KFF Mitrovica të hënën e lëshoi një komunikatë shokuese.

“Jemi të vetëdijshëm që nuk do jetë përballje e lehtë, duke e pasur parasysh forcën e kundërshtarit jo shumë në fushë, sa e ka jashtë fushe, i cili gjatë këtij edicioni e ka treguar atë “fuqinë” e vetë në mënyra jo sportive, me të cilat po mundohet të na godasë pabesisht, por ne nuk do të qëndrojmë duarkryq, do të luftojmë në fushë t’i arrijmë sukseset tona, kurse për lojërat josportive dhe të ndëshkueshme sipas ligjit dhe të rregullave të futbollit të kundërshtarit, do të merren organet përgjegjëse”, thuhej në komunikatën e KFF Mitrovica.

Pas kësaj, kryetari i KFF Mitrovica foli foli për Gazeta Express.

“Më 4 mars e kemi pasur ndeshjen me rivalen tonë të vetme në kampionatin femëror, Hajvalinë. Vetëm një ditë para ndeshjes, një futbolliste e jona na ka njoftuar se tek ajo ka ndërhyrë klubi i futbollit Hajvalia me qëllimin për të na blerë lojtaren, pra që ajo t’ia lëshojë lojën. Falë profesionalizmit të lojtares, ne po besojmë që tentativa ka dështuar. Në fakt, lojtaren tonë e ka thirr një lojtare e Hajvalisë, e cila është prezantuar tek lojtarja e jonë si e autorizuar (dërguar) nga kryesia e klubit të Hajvalisë. Për këtë skandal ne kemi siguruar edhe audio-incizime, të cilat i kemi dorëzuar në Polici. Pra, rasti që atëherë është i denoncuar në Polici, te Krimet Ekonomike në Prishtinë. Unë nuk i di procedurat e tyre, por për ne ka vonesa në këtë drejtim sepse kemi pritur që Policia do ta procesonte më shpejt krejt këtë skandal”, tha Haxhiu.

“Gazeta Express” ka arritur t’i sigurojë dy nga këto audio-incizime. Në to zhvillohet një bashkëbisedim mes një futbollisteje të Hajvalisë dhe një lojtareje të Mitrovicës. Mirëpo, në këtë bashkëbisedim, kuptohet se futbollistja e Hajvalisë mundohet ta bindë futbollisten e Mitrovicës qa ta lëshojë lojën në favor të Hajvalisë në këmbim të mijëra eurove.

Gjithashtu, në audio incizim lojtarja e Mitrovicës dëgjohet duke i kërkuar minimumi 3 mijë euro për ta lëshuar lojën.

Lojtarja e Hajvalisë i thotë në telefon asaj të Mitrovicës se klubi i saj i ka blerë edhe disa lojtare të tjera të Mitrovicës.

Ndërsa, lojtarja e Mitrovicës insiston t’i mësojë emrat e shoqeve të saj të ekipit që e kanë pranuar mit-dhënien nga Hajvalia, pasi si e vetme heziton ta pranojë ofertën.

Por, lojtarja e Hajvalisë ia përmend vetëm një lojtare të Mitrovicës, si të blerë nga klubi i saj. Futbollistja e Hajvalisë vazhdimisht thirret në një person me emrin Xhavit, që besohet se e ka fjalën për kryetarin e klubit të saj, Xhavit Pacolli.

“Express” dje e ka marrë një prononcim rreth kësaj situate nga vetë Pacolli, i cili e ka mohuar kategorikisht përfshirjen e tij në një tentim-kurdisje.

“Ne nuk merremi me gjëra të tilla, janë akuza të pabaza. Ne merremi vetëm me fushën e blertë, po mendojmë veç për finalen e Kupës. Ata le të bëjnë akuza sa të duan, por ne nuk kemi të bëjmë me asnjë incizim apo çka do qoftë që e përmendin ata”, ka thënë Pacolli.

Ndërkohë, gazeta e ka kontaktuar edhe sot Pacollin, si i përfshirë në këto biseda, pak para publikimit të audio-incizimeve.

“Mua nuk më intereson se çka kanë diskutuar mes vete futbollistet, të cilat janë shoqe pasi i ndërrojnë klubet kohë pas kohe, herë vijnë tek ne e herë shkojmë tek ata. Ne si presidentë jemi gjithmonë në qendër të vëmendjes shkaku i pozitës dhe mund të na akuzojnë ndonjëherë. Por, absolutisht s’ka asgjë të vërtetë, ne i kemi thënë krejt këto përmes komunikatës së djeshme. Ndoshta kundërshtari po mundohet të na shpërqendrojë një ditë para finales. Nëse kanë pasur diçka, pse nuk e bënë para dy muajsh, por pikërisht tash kur është finalja?”, thotë Pacolli.

Ndërkohë, edhe Hajvalia e ka lëshuar një komunikatë, përmes së cilës, paralajmëroi padi për shpifje për klubin nga Mitrovica.

“KFF EP Hajvalia e mohon pretendimin për kurdisje të ndeshjeve. Ky veprim nga ana e skuadrës kundërshtare në prag të finales së madhe të Kupës së Kosovës, është vetëm shpifje nga ana e tyre. Skuadra e jonë asnjëherë nuk ka bërë kurdisje të ndeshjeve dhe kjo gjë është konfirmuar në rezultatet tona. KFF EP Hajvalia do ta përgatisë një padi në drejtim të skuadrës për shpifje dhe për prishje të imazhit të presidentit të skuadrës sonë, Xhavit Pacolli. Ky veprim është i ulët nga ana e tyre, sidomos në kohën kur ne jemi duke i bërë përgatitjet për finalen e madhe që do të zhvillohet të mërkurën”, thuhet në komunikatën e klubit nga Hajvalia.

Kurse, KFF Mitrovica ka bërë me dije se rastin nuk e ka paraqitur në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) para se të veprojnë Policia dhe Prokuroria.

NË FOKUS

IMG_1587
Kurti dhe Sveçla non grata – Sanksionet amerikane, Euronews Albania siguron dokumentin e SHBA-ve
Aksident
Pamje nga momenti i aksidentit të rëndë ku humbi jetën i riu në Skenderaj (VIDEO)
96121685371735-1
Lista Serbe i ka dy kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme në veri
albin-kurti-1880x1254-1
Kurti thyen heshtjen, tregon mbështetjen e kujt e ka për ndërhyrjen në veri
351010595_641934294108306_3806447069936236755_n
LAJMI I FUNDIT: Shpërthim i fuqishëm në veri të Mitrovicës
behtiri e matoshi
‘’Mshele atë qene*’’- Eskalon debati mes Bahtirit e Matoshit: Çfarë gjaku ki ti, kallxom?
vvvv
"Mua s'më intereson Serbia, jam kosovar sikur ju" - Kërstiq me tone të ashpëra ndaj Mujës
kushtrimi
Sadiku për deklaratat e Escobarit: Nëse Kurti s’vepron, pritet gjithçka - përfshirë edhe rrëzimin e tij