
Mbajtja e seancave të gjykimit ndaj ish krerëve të UÇK-së larg syrit të publikut dhe fshehja e dëshmive të dëshmitarëve ka ngjallur reagime të shumta brenda dhe jashtë Kosovës.
Përderisa brenda Kosovës një veprim i tillë nga OVL-UÇK dhe aktivistë e njohës të ndryshëm po cilësohet si mungesë e transparencës, avokatë të njohur po e quajnë mosbesim mbylljen e seancave ku po dëshmojnë dëshmitarët kundër ish krerëve të UÇK-së.
Avokati anglez Michael O’Reilly që dikur ka qenë pjesë e ekipit të mbrojtjes së Ramush Haradinajt në Tribunalin e Hagës, ka deklaruar për Nacionalen se mbyllja e seancave ngjallë mosbesim.
“Ajo që kam kuptuar unë është se fjalimet hapëse ishin të qarta dhe kompetente nga të dyja palët. Është shumë për të ardhur keq që fillimi i gjykimit është në seancë me dyer të mbyllura – por kjo është zgjedhja e prokurorit, duke thirrur së pari dëshmitarët e mbrojtur. Jam dakord që nuk ngjall besim. Personalisht, nuk jam i shqetësuar – thjesht ndodh që ne kemi shumë ‘sesione të mbyllura’ në fillim”, deklaroi avokati O’Reilly.