
Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së Dhomave të Specializuara të Kosovës të 13 tetorit 2026, duke theksuar se mandati i tij kushtetues për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut nuk përjashtohet automatikisht nga ekzistenca e Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë.
Në reagimin e publikuar lidhur me këtë çështje, Avokati i Popullit sqaron se, në përgjigjen zyrtare të dërguar më 13 tetor kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka paraqitur argumentet juridike për mandatin dhe kompetencat e institucionit që përfaqëson.
Sipas Avokatit të Popullit, përgjegjësia ekskluzive e caktuar për Zyrën e Avokatit të Popullit në Hagë nuk nënkupton domosdoshmërisht kompetencë ekskluzive, e cila do t’i përjashtonte institucionet e tjera kushtetuese nga ushtrimi i mandatit të tyre në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Përgjegjësia ekskluzive dhe kompetenca ekskluzive përbëjnë dy koncepte juridike të dallueshme, të cilat nuk mund të përdoren si sinonime”, thuhet në argumentimin juridik të institucionit.
Avokati i Popullit vlerëson se çdo pretendim për përjashtimin e kompetencave të tij duhet të mbështetet në dispozita të qarta kushtetuese dhe në interpretimin e tyre juridik, e jo vetëm në përdorimin e termit “përgjegjësi ekskluzive”.
Në reagim ngrihet edhe çështja e funksionimit praktik të Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë. Sipas institucionit, deri më tani kjo zyrë nuk e ka ushtruar në praktikë funksionin e saj monitorues në përgjigje të shqetësimeve për të drejtat e njeriut të personave që janë subjekt i procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara.
Për Avokatin e Popullit, kjo situatë ngre pikëpyetje lidhur me përmbushjen efektive të përgjegjësive të këtij mekanizmi dhe nuk do të duhej të shërbente si pengesë për një institucion tjetër të themeluar me Kushtetutë që të veprojë brenda kompetencave të veta ligjore.
Institucioni thekson se qëndrimi i tij nuk nënkupton mbizotërim apo zëvendësim të përgjegjësive të Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë, por se të dy mekanizmat mund të kenë mandate plotësuese në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Po ashtu, Avokati i Popullit rikujton se që nga viti 2021 ka ngritur vazhdimisht shqetësime pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë edhe përmes korrespondencës zyrtare të mëvonshme, për të cilën, sipas tij, nuk ka marrë përgjigje.
Mungesa e përgjigjeve, sipas institucionit, ngre shqetësime për transparencën dhe llogaridhënien institucionale. Avokati i Popullit nënvizon se ngritja e shqetësimeve dhe dhënia e rekomandimeve të përgjithshme për funksionimin e sistemit të drejtësisë janë në përputhje me mandatin e tij ligjor, të përcaktuar me Ligjin nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit.
Në këtë kontekst, institucioni thekson se pavarësia gjyqësore nuk duhet të përdoret si arsyetim për mungesë transparence apo llogaridhënieje, ndërsa rekomandimet që synojnë përmirësimin e sistemit të drejtësisë nuk duhet të interpretohen si ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit.
Në fund të reagimit, Avokati i Popullit rithekson se e ruan mandatin e përgjithshëm kushtetues për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në lidhje me ushtrimin e autoritetit publik, brenda rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës.