
Presidentja Justina Shiroka-Pula, ka marrë pjesë sot në promovimin e dy veprave shkencore të akademik Hivzi Islamit, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.
Sipas njoftimin nga zyra e Presidentes, Shiroka-Pula tha se këto dy vepra shkencore, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tij shumëvjeçare dhe të kontributit të jashtëzakonshëm në studimin e popullsisë së Kosovës dhe të shqiptarëve.
Por, sipas saj, kjo ditë ka një domethënie më të gjerë sesa promovimi i dy librave apo shënimi i një jubileu. Kjo pasi, siç u shpreh Presidentja, sot nderohet një jetë të tërë kushtuar dijes, shkencës, arsimit universitar, zhvillimit institucional dhe interesit të përgjithshëm të vendit tonë.
“Në historinë e çdo institucioni shkencor ka personalitete që nuk dallohen vetëm për veprat që kanë shkruar, por edhe për gjurmët që kanë lënë në zhvillimin e vetë institucionit, në formimin e brezave të rinj dhe në afirmimin e shkencës në hapësirën kombëtare e ndërkombëtare. Një personalitet i tillë është pa dyshim akademik Hivzi Islami”, u shpreh Shiroka-Pula.
Ajo më tej tha se për të personalisht, kjo ditë ka edhe një vlerë të veçantë, ngase, si kolege e tij prej shumë vitesh, ka pasur mundësinë ta njohë nga afër përkushtimin e tij ndaj punës shkencore, seriozitetin profesional, përgjegjësinë institucionale dhe këmbënguljen për të ruajtur e avancuar autoritetin e Akademisë.
“Prandaj, kam dëshiruar prej kohësh që këtë përvjetor ta shënojmë në mënyrë dinjitoze, jo vetëm për të vlerësuar veprën e tij shkencore, por edhe për t’i shprehur mirënjohjen tonë për gjithçka që ka bërë për Universitetin, Akademinë dhe shkencën shqiptare”, theksoi Presidentja Shiroka-Pula.
E para e shtetit më tej tha se tetëdhjetë vjet jetë dhe më shumë se pesë dekada veprimtari akademike e shkencore përbëjnë një rrugëtim të gjatë, të pasur me punë, përgjegjësi, sfida dhe arritje, e që sipas saj, është një rrugëtim që meriton respekt dhe vlerësim të veçantë.
“Një ndër meritat e tij të veçanta është institucionalizimi i demografisë si disiplinë shkencore dhe universitare në Kosovë. Ai organizoi studimet pasuniversitare në këtë fushë dhe kontribuoi drejtpërdrejt në përgatitjen e brezave të studiuesve të rinj, shumë prej të cilëve vazhduan rrugën e tyre akademike e shkencore”, pohoi Presidentja.
Sipas saj, veprimtaria krijuese e akademik Islamit dëshmon jo vetëm besimin që kolegët kanë pasur ndaj tij, por edhe përkushtimin e vazhdueshëm të tij për zhvillimin, organizimin dhe afirmimin e Akademisë.
Presidentja tha se kontributi shkencor i akademik Islamit është i gjerë dhe shumëdimensional.
Shiroka-Pula tha se ajo që e dallon veprën e akademik Islamit është qasja e tij gjithëpërfshirëse ndaj fenomeneve demografike.
Tutje, kreu i shtetit tha se Kosova sot përballet me sfida të mëdha demografike dhe socioekonomike: emigrimin, largimin e të rinjve, ndryshimet në strukturën e moshës së popullsisë, rënien e lindshmërisë dhe ndikimin e këtyre proceseve në tregun e punës, në ekonomi dhe në zhvillimin afatgjatë të vendit.
Sipas Presidentes, vepra e parë, “Kosova: Tranzicioni i fundit demografik në Evropë”, paraqet një trajtim të thelluar të proceseve të transformimit demografik të popullsisë së Kosovës.
Në fund, Presidentja Justina Shiroka-Pula tha se ky jubile shënon jo vetëm një moment për të vlerësuar rrugën e deritanishme të akademik Hivzi Islamit, por edhe një rast për të shprehur bindjen se puna dhe vepra e tij do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shkencore dhe akademike të Kosovës.