
Raporti: Saranda Alshiqi
Dyshimet për avullimin e rezervave shtetërore, ka vënë nën pranga dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, e Tregtisë, si dhe një biznesmen.
Policia e Kosovës, me një aksion të gjerë bastisjesh në tri lokacione, ka arrestuar drejtorin e Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara dhe drejtorin e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, si dhe pronarin e restorantit “Bukë e Zemër”, Ridvan Murrahemi.
Arrestimi i tyre ka ndodhur pas dyshimeve që të tre janë të përfshirë në aferën e vajit dhe të grurit, për çka ditë më parë janë publikuar audio-incizime.
Bastisjet kanë nisur tek banesa e të dyshuarit, Ridvan Muharremi, duke vazhduar edhe tek lokali i tij, derisa veprime të tilla janë bërë edhe në MINT, ku sipas organeve të hetuesisë, janë konfiskuar materiale e prova të ndryshme.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se tre të arrestuarit dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndihmë në kryerjen e kësaj vepre.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L. Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.
Pas arrestimit të zyrtarëve të saj, ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke thënë se i mirëpret këto hetime.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, anipse ne jemi të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet përkatëse, planin përkatës dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to. Për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku në vendin tonë. Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe kordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast.”
Avokati i Ridavan Muharremit, Mahmut Halimi është shprehur i shqetësuar në lidhje me rrjedhën informative për bastisjet e së premtes dhe prangosjen e klientit të tij.
Bastisjet dhe arrestimet e zyrtarëve të MINT-it dhe biznesmenit, Ridvan Muharremi kanë ardhur pas dyshimeve për përfshirjen e tyre në keqpërdorimet e rezervave shtetërore.
Ky veprim i institucioneve të hetuesisë ka pasuar audio-incizimet e publikuar ditë më parë, e përmes të cilave dyshohet të jenë bërë dallavere me rastin e blerjes së vajit, miellit e grurit.
Në audio-incizime dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it teksa bisedojnë për presionet që kanë pasur për nënshkrimin e dokumenteve për pranimin e mallit, por që nga 10 ton grurë të porositur, për shumën prej 6 milionë eurosh, pretendohet se nëntë prej tyre mungojnë.
Gjithashtu, pretendohet se ndërmjetës për porositjen e vajit ka qenë biznesmeni Ridvan Muharremi, i cili kishte përzgjedhur një kompani nga Polonia, por e cila nuk e kishte sjellë asnjëherë vajin në Kosovë, për çka Qeveria kishte ndarë 300 mijë euro.