
Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi ka reaguar pas vazhdimit të masës së paraburgimit ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, shkruan Gazeta10.
Azemi ka theksuar disa raste se si pushteti i doli në mbrojtje Krasniqit duke pretenduar se për hetimet ndaj tij u shkarkua edhe një zyrtar policor, andaj ai ka kërkuar që drejtësia të mos dorëzohet deri në fund të këtij hetimi.
Postimi i plotë i tij:
Kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi është arrestuar me 19 prill. Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdim të masës së paraburgimit ndaj tij edhe për dy muaj.
Sado që skandalet e kësaj qeverie mbulojnë njëra-tjetrën, kujtojmë që njeriu i partisë në pushtet, Nagip Krasniqi, që nga ta u instalua në këtë ndërmarrje, dyshohet për korrupsion. Që nga dita e arrestimit të tij, i madh e vogël në Qeveri e VV i kanë dalë në mbrojtje. Pati edhe një shkarkim brenda Policisë nga njësiti që po hetonte Krasniqin. Krejt kjo për ta penguar zbardhjen e pazareve me energjinë elektrike. Për ta mirëmbajtur rrjetin e mafisë energjetike, në krye të së cilit qëndron Martin Berishaj.
Uroj që drejtësia të mos dorëzohet dhe t’i shkojë deri në fund këtij hetimi. Le të dalë e vërteta e Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt, e rrjedhimisht edhe e Albin Kurtit.