Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Babai i Salih Mustafës: Dënim më i rëndë se ai i Serbisë (VIDEO)

Gazeta10
16 Dhjetor 2022 - 19:27

Raporti: Viola Korça

Familjarë të Salih Mustafës janë shprehur të habitur me dënimin prej 26 vjetësh burgim nga Gjykata. Babai i tij, Jahja Mustafa ka treguar telefonatën e fundit që ka pasur me të. Derisa, familjarët kanë kritikuar krerët institucional se asnjëherë nuk kanë biseduar me ta për gjendjen e Salih Mustafës.

Të rëndë dhe të pamerituar, e ka vlerësuar dënimin ndaj Salih Mustafës, babai i tij, Jahja Mustafa.

Ai thotë se shqiptimi prej 26 vjetësh burgim për djalin e tij, nuk ka ndodhur as në kohë të Serbisë.

Megjithëse, shprehet i mërzitur për këtë dënim, ai thotë se një gjë të tillë as që e ka menduar.  

Ai thotë se që nga arrestimi i Salih Mustafës, vazhdimisht janë paraqitur pengesa nga Gjykata Speciale.

Sipas tij, familjarëve në shumë raste nuk u janë lejuar vizitat, derisa as thirrjet telefonike nuk kishin zgjatur më shumë se një minutë.

Derisa, tregon se kontaktin e fundit me të e kishte dje.

Pas shpalljes së aktgjykimit ka reaguar edhe vajza e Salih Mustafës, e cila nga Haga ka thënë se kjo është edhe një sfidë për këtë familje tonë dhe një përulje tjetër për kombin shqiptar.

“Unë sapo dola nga vizita me babin. Nuk kam pasur asnjëherë bisedë më të dashur, më të çlirë dhe më të ndjerë me të. Babi ishte më i fortë se kurrë e më kokëlartë se kurrë. “Patriotizmi në ditë të sotit tregohet përmes punës së juaj të ndershme, arritjeve të juaja. Serbët nuk i keni më aty. E ata që ju respektojnë, i respektoni dy herë më shumë.” Kjo ishte një pjesë e bisedës sonë sot, ku përçohet edhe morali i lartë i babit. Faleminderit familjarëve, miqve të afërt dhe të gjithë popullit për këtë përkrahje! Por, edhe unë kam të njëjtën pyetje: “Në emër të cilit popull?”

Edhe familjarë dhe të afërm të tjerë të Salih Mustafës janë shprehur të habitur me shkallën e dënimit ndaj tij, duke e cilësuar një vendim të tillë si puro politik.  

Shqetësuese, sipas tyre, ka qenë kumtimi i aktgjykimit në emër të popullit të Kosovës. 

Të afërmit ish-komandant “Calit” e kanë kritikuar Gjykatën Speciale në Hagë se nuk po kujdeset rreth trajtimit të sëmundjes së Salih Mustafës.

Ata janë shprehur kritik edhe ndaj institucioneve të Kosovës, që për dy vite, sipas tyre, askush nuk i ka vizituar apo folur me familjarët e tij.

Të premten, Salih Mustafa është dënuar me 26 vjet burgim nën akuzat për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. / Kanal10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.