
Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi Kryeministri Kurti njoftoi se janë dyfishuar dhe trefishuar shtesat e fëmijëve.
Këtë vendim të tij, Bajrami po e sheh se po bëhet në kohë fushate, e me të cilën Kurti po tenton të marrë vota.
“Sot, në emër të mirëqenies së fëmijëve Qeveria e dështimeve dhe e korrupsionit filloj zyrtarisht fushatën me ”skema për blerje të votave”. Po ju kthehet qytetarëve vetëm një pjesë e asaj çfarë qeveria ka marrë nga ata që tri vite e gjysmë si pasojë e çmimeve më të larta në këmbim të votës. Mos u mashtroni! Në ditët dhe javët në fillim skema të tilla do të vazhdojnë, meqë jemi në kohë fushate e Qeveria ka dështu të përmbushë 10% të asaj çka ka premtu, tani me paratë që ka plaçkitë nga ju si rezultat i tatimeve më të larta si pasojë e inflacionit do të tentoj të blejë vota edhe për një mandat”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka thënë se këto skema do të duhej të rriteshin në vitin 2022 kur inflacioni ishte dyshifror.
Bajrami ka shkruar se ndonëse LVV ka ardhur në pushtet duke premtuar lirimin e çmimit të energjisë, shportën e konsumatorit më të lirë, sigurime shëndetësore, arsim, drejtësi, punësim, kthim të trurit, ndërtimin e 160 çerdheve, 4000 banesave për të rinjtë, ndërtimin e 5 shtëpive për të moshuarit, ndërtim të rrugëve, urave, tuneleve e magjistraleve, integrime euroatlantike dhe anëtarsim në organizata ndërkombëtare, sipas saj asnjëra nuk është realizuar.
“E tani krejt këto dështime kryepopullisti po mundohet t’i mbuloj me kinse kthimin e një pjesë të parave që ka marrë nga ju që tri vite e gjysmë e të cilat ka dështu t’i kthej në shërbime, mallra, projekte infrastrukturore e rritje të mirëqenies për Ju. Rritja e shtesave për fëmijë është e vonuar, nuk është e drejtë sepse marrin njëjtë si fëmijët e ministrave/deputetëve dhe atyre që janë në skema sociale dhe se rritja e tillë nuk mbulon as rritjen e çmimeve për produktet bazë”, ka shtuar ndër të tjera Bajrami.
Sipas saj, mirëqenia e fëmijëve do të arrihet vetëm përmes zbatimit të programit “Rruga e Re”.
Postimi i plotë: