Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka pyetur ministren Artane Rizvanolli, se si është e mundur që të ketë një faturë prej 51 milionë eurove në komunat veriore, raporton Gazeta10
Bajrami ka thënë se ministrja Rizvanolli duhet të përgjigjet se për çfarë shërbejnë këto masa dhe se cili është ndikimi i tyre në veriun e Kosovës.
“Unë edhe një herë po kërkojë të na përgjigjesh për çka shërbejnë masat emergjente për furnizim me energji elektrike? Dhe gjithashtu dëshiroj të dij ndikimin e këtyre masave në furnizimin me energji elektrike në katër komunat veriore”, ka thënë Bajrami.
Më tej Bajrami ka thënë se pavarësisht deklaratave të Qeverisë për luftimin e krimit, një faturë e KOST që tregon se komunat veriore kanë shpenzuar për dhjetë muaj 51 milionë euro energji, tregon pasqyrë tjetër.
“Na kemi dëgju deklarata gjatë gjithë kohës, të eksponentëve të Qeverisë se si po e luftoni krimin atje, korrupsionin si po e luftoni se si i keni ndal aktivitetet e prodhimit të kripotvalutave mirëpo kjo faturë prej 51 milionëve për vetëm dhjetë muaj tregon një pasqyrë komplet tjetër”, ka thënë ndër të tjera Bajrami. / Gazeta10