Sport

Ballkani dhe “Fadil Vokrri”, një ‘dashuri’ që sa shkon e shtohet

Gazeta10
07 Tetor 2023 - 23:48

“Shtëpia është vendi më i rehatshëm që mund të jesh”. Pikërisht kjo thënie vlen për klubin e Ballkanit, i cili në ndeshjet si vendas po ‘tregon dhëmbët’.

Në rrugëtimin e tij evropian, klubi nga Theranda ka qenë i pathyeshëm në ndeshjet si vendas, të cilat i luante dhe do t’i luajë në “Fadil Vokrri”.

Në pamundësi të luajë në qytetin e tij, Ballkani po tregon që edhe “Fadil Vokrri” mund të llogaritet si shtëpi e tyre e dytë, pasi emocionet më të mëdha, tifozët e tij i kanë përjetuar aty.

Ballkani është treguar i pamëshirshëm ndaj kampionëve të shumtë evropian, madje edhe duke mos pësuar gola.

Gjithçka nisi nga ndeshja e parë kualifikuese për Ligën e Kampionëve, kur në Prishtinë ‘zbarkoi’ kampioni i Bullgarisë, Ludogorets.

Të llogartirur si favorit në atë ndeshje, Ludogorets u përballë me një ekip të uritur për sukses e kështu e pa veten në disavantazh prej dy golave, të cilët i shënuan Meriton Korenica e Qëndrim Zyba.

Ndodhën si ndodhën gjërat, me Ballkanin që pas ndeshjes së turpshme në Bullgari, kthehej në “Fadil Vokrri” por kësaj here në kuadër të Ligës së Konferencës.

Larne ishte ‘viktima’ e radhës kampione e skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja, duke pësuar disfatë prej 3-0 me një paraqitje të jashtëzakonshme nga të besuarit e teknikut nga Shqipëria.

Kampioni i radhës që shkeli fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” ishte Lincoln Red Imps i Gjibraltarit. Ballkani në atë ndeshje fitoi me rezultat 2-0, duke arritur që edhe një herë të mbajë portën e paprekur.

Gol shënoi, mirëpo pësoi 4. Skuadrës tjetër që i ra të përjetojë ‘ferrin’ në “Fadil Vokrri” ishte ajo e BATE Borisov. Kjo skuadër që në emrin e saj mbante një përvojë të madhe në Evropë, u ‘gjunjëzua’ para madhështisë së skuadrës therandase.

Mirëpo, fitorja më e madhe e arritur këtë sezon në Evropë nga Ballkani si vendas, është padyshim ajo ndaj 24 herë kampionit të Kroacisë dhe një klubi që hiç më larg se sezonin e kaluar luante në grupet e Ligës së Kampionëve.

Më 5 tetor në “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 18:45, Ballkani përballë kishte Dinamo Zagrebin, i cili në këtë takim hynte si super favorit. Mirëpo, edhe një herë Ballkani bëri me dije se madhështia e përvoja e asnjë klubi nuk luan rol kyç kur luajnë ndaj tyre në Kosovë.

Një supergol i Almir Kryeziu afër përfundimit të pjesës së parë dhe një depërtim i Walid Hamidit në pjesën e dytë i dhuruan Ballkanit fitoren më të madhe të arritur ndonjëherë në historinë e tyre.

Me ato tre pikë, Ballkani e gjen vetën në pozitën e dytë në tabelë, tre më pak se Viktoria Plzen që zë vendin e parë në tabelë. Në vendin e tretë gjendet Dinamo Zagreb, gjersa pozita e fundit i përket Astanas.

Ballkani është i pamposhtur si vendas edhe në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke arritur pesë fitore në pesë ndeshje këtë edicion.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.