Kampioni i Kosovës, Ballkani, më 28 maj e festoi titullin e dytë rresht në histori të klubit. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja pati pak ditë pushim, ndërsa të enjten ka nisur përgatitjet për kualifikimet në garat e organizuara nga UEFA.
“Përfundojnë pushimet. Kampionët i rikthehen fushës. Ekipi i është rikthyer fushës së blertë dhe ka nisur zyrtarisht përgatitjet për garat evropiane. Me ndryshime të pakta, skuadra ka kryer stërvitjen nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja. Besimi në skuadër dhe klub tani është edhe më i madh. Të gjithë së bashku do të arrijmë gjëra të mëdha. Krenaria e Suharekës. Na priftë e mbara”, shkruan në faqen zyrtare të Ballkanit në Facebook.
Ballkani i Suharekës u bë skuadra e parë nga Kosova që ishte pjesë e fazës grupore të Ligës së Konferencës.
Në edicionin e fundit të kësaj gare, Ballkani në Grupin G pati paraqitje të mira. U rendit në vendin e fundit me katër pikë, shtatë më pak se Sivasspori lider, gjashtë më pak se Cluji, dhe katër më pak se Slavia e Pragës. Mori një fitore e një barazim. Pavarësisht renditjes në tabelë, Ballkani u vlerësua pozitivisht për paraqitjet që pati.
Ballkani kundërshtarin e raundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve do ta mësojë më 20 qershor. Ndeshjet e para kualifikuese të raundit të parë kualifikues të “Championsit” luhen më 11 dhe 12 korrik, kurse ato të kthimit pas një jave.
Po të enjten, Ballkani njoftoi edhe për largimin e qendërmbrojtësit Rustem Hoxha. Hoxha ishte pjesë e Ballkanit prej verës së vitit 2021 kur u transferua nga Teuta.