
Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi të martën, një financim shtesë prej 80 milionë dollarësh, në mbështetje të modernizimit dhe transformimit digjital të sektorit publik, duke përmirësuar aksesin në shërbimet kryesore për qytetarët, veçanërisht për grupet e cënueshme.
“Financimi shtesë vjen si rezultat i progresi të projektit kryesor “Përmirësimi i Aksesit të Barabartë në Shërbimet Publike me Standarde të Larta përmes GovTech” (prej 65 milionë dollarësh), i cili synon të rrisë aksesin dhe cilësinë e shërbimeve publike”, bëri të ditur në një njoftim Banka Botërore. Aktualisht projekti po zbaton disa aktivitete, duke përfshirë ridizenjimin dhe përmirësimin e platformës E-Albania, platformë digjitale që ofron shërbime për qytetarët dhe bizneset, krijimin e qendrave të inovacionit për të rinjtë për përvetësimin e aftësive digjitale si dhe ngritjen e 200 SmartLabs në shkollat fillore që do të shërbejnë për të rritur njohuritë mbi numërimin, leximin dhe aftësitë dixhitale.
Banka Botërore, vë në dukje se “Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në modernizimin e sektorit publik dhe transformimin digjital, çka ka përmirësuar shërbimet publike dhe ka kontribuar në zhvillimin ekonomik. Megjithatë, ka ende vend për përmirësime të mëtejshme duke përfituar nga këto risi. Transformimi digjital mund të ndihmojë Shqipërinë drejt reformave më të avancuara në sektorin publik, të përmirësojë ofrimin e shërbimeve publike, të forcojë kapitalin njerëzor dhe të nxisë një rritje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, thekson njoftimi./VOA