
Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit me inicialet Ç. Zh., i dyshuar për veprën penale të grabitjes.
Sipas njoftimit të gjykatës, rasti ka ndodhur më 10 tetor 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Anton Çeta” në Gjakovë, në një lokal të identifikuar si “R. M. T.”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i pandehuri dyshohet se, i maskuar dhe nën kërcënimin e një thike, e kishte urdhëruar punëtoren e lokalit që t’ia dorëzonte të gjitha paratë.
Në gjendje frike dhe paniku, punëtorja nuk kishte reaguar, ndërsa i dyshuari dyshohet se e kishte hapur dollapin ku mbaheshin paratë dhe kishte marrë rreth 8 mijë euro. Më pas, ai ishte larguar nga lokali me paratë e grabitura.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
Paraburgimi do të zgjasë një muaj, nga 15 tetori deri më 15 nëntor 2026.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.