Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rama paralajmëron familjet e të miturve: Faturën e dëmeve do ta paguani, i lini 13-vjeçarët të bëhen mburojë e të tjerëve

Gazeta10
19 October 2026 - 9:28

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar familjet e të miturve që morën pjesë në protestat e dhunshme në Tiranë, duke deklaruar se do të mbajnë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara. Gjatë një paraqitjeje para mediave, Rama tha se faturat e dëmeve do t’i ndjekin deri në fund, ndërsa paralajmëroi masa edhe sa i përket përfitimit nga arsimi falas.

“U them të gjitha familjeve të atyre fëmijëve, që do ta paguani. I lini rrugëve nga 13 vjeç të marrin rolin e mburojës së të tjerëve. Fatura e atyre dëmeve do t’ju përndjekë deri në fund”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se të miturit që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj policisë nuk do të përfitojnë arsim falas dhe asnjë mbështetje financiare nga taksat e qytetarëve shqiptarë.

“Nuk do të kthehen në shkollë normalisht. Nuk do të kenë arsim falas ata që dalin e dhunojnë policët, pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë. Asnjë kokërr leku nuk do të marrin nga taksat e shqiptarëve”, u shpreh kryeministri.

Rama akuzoi organizatorët e protestave se po përdorin të miturit për t’i vendosur në vijën e parë të përballjes me policinë. Sipas tij, ata po i ekspozojnë fëmijët ndaj rrezikut, duke shpresuar që një incident me policinë të shkaktojë pasoja të rënda dhe të përshkallëzojë situatën politike.

“U gjetën të miturit, që merren dhe vihen përpara me shufra hekuri dhe çohen atje mish për top, duke ëndërruar që një polici t’i shpëtojë dora dhe t’i marrë jetën një të mituri, që pastaj të justifikohet e keqja edhe më e madhe”, tha ai.

Kreu i qeverisë e lidhi këtë situatë edhe me ngjarjet e 21 janarit, duke akuzuar kundërshtarët politikë se synojnë të krijojnë një skenar të ngjashëm me atë të vitit 2011, kur gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë u vranë katër protestues.

“Duke ëndërruar që të kthehet këtu prapë 21 Janari, për të bërë shenjën e barazisë mes meje dhe nesh, që e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu dhe e kemi ndërruar faqen e këtij vendi dhe e kemi ngritur dinjitetin e këtij vendi, me ata që në bulevard i vrisnin protestuesit”, deklaroi Rama.

Ai mbrojti ndërkohë veprimet e Policisë së Shtetit, duke thënë se forca policore nuk duhet të vihet në diskutim dhe duke iu referuar mënyrës se si veprojnë policitë në Francë gjatë protestave.

Megjithatë, Rama tha se për zgjidhjen e situatës nevojitet edhe dialogu. Ai hodhi poshtë pretendimet se qeveria nuk i ka dëgjuar protestuesit, duke deklaruar se gjatë katër muajve të protestave të studentëve nuk ka dëgjuar kërkesa konkrete dhe të arsyeshme për arsimin apo shëndetësinë.

“Duhet një zgjidhje sigurisht, sepse këto që thashë janë pjesë e zgjidhjes, por nuk janë zgjidhja. Forca e policisë është njëra anë dhe nuk duhet të vihet në diskutim”, përfundoi Rama.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.