
Në emisionin “Mëngjesi me Arben Ahmetin”, banorët e lagjes “Dardania” janë ankuar se lëshimi i ngrohjes së Termokosit në këtë periudhë kur temperaturat janë të larta po i pengon ata, raporton Gazeta10.
Pra, banorët janë në hall me nxehtësinë që po u krijohet në vendbanimet e tyre sidomos gjatë natës ku ata po detyrohen të hapin dritaret për të freskuar ajrin.
Në incizimet që i ka bërë këtë mëngjes Kanal10, shihet se disa prej dritareve të banesave janë gjysmë të hapura.
Për Kanal10, qytetarët janë shprehur se kjo po ua vështirëson mënyrën e jetesës.
Termokosi këtë vit ka filluar sistemin e ngrohjes me 12 tetor.
Ky sistem është zgjeruar vit pas viti dhe ka përfshirë lagje të ndryshme të Prishtinës, por tek lagjet që kanë qenë më herët të lidhura në sistem si kjo e Dardanisë nuk është bërë ndryshimi i sistemit, që të u vendosen ndërprerësit dhe që qytetarët të kenë mundësi të vendosin vetë për temperaturën që dëshirojnë të krijojnë në ambientet e tyre./Gazeta10