
Banorët e fshatit Komoran të Drenasit janë ankuar për neglizhencë të kësaj komune karshi kërkesave të tyre si qytetarë, shkruan Gazeta10.
Njëri nga banorët, në një lidhje direkte në “Mëngjesi me Arben Ahmetin”, ka thënë se përveç rrugës së dëmtuar e mungesës së ndriçimit publik, në këtë fshat në gjendje të mjerueshme janë edhe gypat e ujësjellësit.
“Kjo rrugë që është qendra e Komoranit, prej objektit të ambulantes, shkollës e rrethi. Po në këtë pjesë kanë humbur jetën 4 persona, për një rreth që s’kushton shumë. Dëmtimet e rrugës janë bërë por s’merret askush me këtë. Këtu edhe uji ka shpërthyer e ka marrë krejt këtë pjesë. Ka raste kur nga kjo rrugë kanë qenë të rrezikuar edhe qytetarët, sepse veturat kalojnë në anën tjetër për të kaluar këtë pjesë. Jemi ankuar edhe për trotuar, se edhe ai çdo 50 metra është groposur por askush s’ka marrë masa. Kjo rrugë nuk ka as ndriçim edhe pse e lidh tërë vendin.”, ka thënë njëri nga banorët.
Ndërkohë, një vendas tjetër ka thënë se për të gjitha këto ankesa i janë drejtuar Komunës së Drenasit, por që deri më tani nuk kanë gjetur ndonjë zgjidhje.
Lidhur më këtë, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci banorëve u ka premtuar zgjidhje, por që ka thënë se disa nga përgjegjësit në këtë pjesë janë të nivelit qendror dhe s’e kjo ua pamundëson ndërhyrjet.
“Çdo kund ku punohet mund të ketë probleme si rruga, trotuari e kanalizimi. S’e di për ku e ke fjalën, por atje në Komoran është punuar shumë, por në rast se nuk janë mirë trotuaret do mundohemi t’i rregullojmë e riparojmë. Nëse kompanisë që e ka pas projektin i ka dal afati, ne e kemi kompaninë që merret me trotuare, do ta rregullojmë, qoftë edhe për gropa në rrugë që nuk janë përgjegjësi e komunës por e ministrisë. Kjo rrugë është regjionale dhe edhe me dashtë me intervenuar, s’mundemi sepse mund të denoncohemi për keqmenaxhim të buxhetit.”, ka thënë ai./Gazeta10