
Në emisionin “Info 10”, Mazllum Baraliu, njohësi i rrethanave politike ka komentuar situatën e fundit së krijuari në vend pas sulmeve të ditës së djeshme në zyrën e KQZ-së në veri të Kosovës, raporton Gazeta10.
Baraliu, duke komentuar deklaratën e kryetarit të KQZ-së pas sulmeve që ka thënë se “zgjedhjet me zor nuk mbahen, s’mund të rrezikojmë askënd”, Baraliu ka thënë se kryetari nuk ka përvojë në institucione të tilla sepse zgjedhjet janë obligim kushtetues dhe organet e rendit duhet të mundësojnë mbajtjen e tyre.
“Në radhë të parë ai zotëri, me respektin më të madh për të nuk ka përvojë të madhe në një institucion të tillë. E dyta nuk thuhet ashtu lehtë sepse përfaqëson organet përkatëse dhe procesi zgjedhor është obligim kushtetues. Zgjedhjet duhet bërë përpjekje që të mbahen nuk po them në asnjë mënyrë që në kushte anormale, të rrezikshme të sigurisë të mbahen. Por unë mendoj institucionet përkatëse që kemi tri kategori të institucioneve të sigurisë që e bëjnë sigurinë atje dhe këto kanë këtë mision dhe përgjegjësi do duhej ta bënin. Nuk janë qytetarët atje të ngritur por grupet kriminale, që lehtë e shpejt veprojnë .”, ka thënë Baraliu.
Gjatë ditës së djeshme zyrat e KQZ-së në veri të Mitrovicës janë sulmuar me bomba e granata dore për të penguar zyrtarët e KQZ-së që ta bëjnë punën e tyre.
Sulmet kanë ardhur si shenjë revolte për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës.
Këto sulme sipas Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i kanë kryer “bandat kriminale të paguara nga Serbia”./Gazeta10