
Gjatë ditës së sotme janë luajtur dy ndeshjet e mbetura të xhiros së 5-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Dy ndeshjet kanë rastisur të përfundojnë me barazim dhe me rezultatin e njejtë.
Në ndeshjen e luajtur në “18 qershori” në Klinë, Dukagjini doli në epërsi prej 1-0 me anë të Altin Merlakut, gjersa për golin e barazimit për Ballkanin u përkujdes, Albin Berisha.
Me rezultat të njejtë u mbyll edhe sfida në “Kampion Nacional” në Hajvali, me Lirinë që arriti të nxjerrë një pikë ndaj Prishtinës.
Golin e parë në ndeshje e shënoi Leotrim Kryeziu, mirëpo këtij goli iu kundërpërgjigj Prince Tijueza për 1-1.
Prishtinasit kishin mundësi të mirë për të dalë në epërsi, mirëpo penaltinë e Kryeziut e priti Arlis Shala.
Kështu mbyllet edhe një xhiro e Superligës, me Llapin që është lider i ri me 10 pikë, i ndjekur nga Ballkani me aq pikë po me një ndeshje më pak.
Vendin e tretë në tabelë e zë Malisheva me 9 pikë të tubuara. Në pjesën e poshtme të tabelës, aty në zonën e rrezikshme gjenden Dukagjini, Feronikeli e Fushë Kosova.