Barcelona ka shënuar fitore me rezultat 3-0 në shtëpi ndaj Stade Brest në kuadër të raundit të pestë në Ligën e Kampionëve.
Fillimi i ndeshjes pati një ritëm të qetë, me Barcelonën që po dominonte kryesisht në aspektin e posedimit të topit dhe me Brest që po mbronte hapësirat në mbrojtje.
Në minutën e nëntë, Barcelona fitoi penallti për shkak të një ndërhyrje të palejueshme nga portieri Marc Bizot.
I saktë nga pika e bardhë u tregua Robert Lewandowski i cili shënoi për rezultatin 1-0.
Blaugranasit e nisën më hov pjesën e dytë, duke rrezikuar seriozisht portën mysafirë në minutën e 54-të me Fermin Lopez i cili për pak sa nuk realizoi golin e dytë.
Megjithatë, goli i dytë erdhi në minutën e 66-të përmes Dani Olmos i cili realizoi për 2-0 pas asistimit të Gerard Martin.
Për epilogun përfundimtar të takimit u përkujdes Robert Lewandowski i cili realizoi për 3-0 në minutën e 92-të pas asistimit të Alejandro Baldes.
Me këtë fitore Barcelona ngjitet momentalisht në pozitën e dytë në renditje me 12 pikë të grumbulluara.
Ky triumf ishte i rëndësishëm për ekipin e Hansi Flick pasi ata tashmë u rikthyen tek rezultatet pozitive pasi kishin dy ndeshje radhazi pa e shijuar atë.