Gjykimi Special

Bashota: Në Shtabin Qendror komunikatat janë shkruar nga jashtë, me këto merrej Xheladin Gashi dhe Nait Hasani

Gazeta10
28 Nëntor 2024 - 19:06

Sokol Bashota tha të enjten në Hagë se nuk ka njohuri për disa komunikata që janë shkruar nga UÇK-ja pasi, sipas tij, në kohën e Shtabit Qendror përpara se të fillonte lufta, komunikatat janë shkruar nga jashtë.

Sipas tij, me këtë çështje është marrë më tepër Xheladin Gashi dhe Nait Hasani për të cilët Bashota ka thënë se ishin pjesë e Shtabit Qendror kur u organizuan aksionet e para të UÇK-së.

“Në kohën e Shtabit Qendror është thënë që komunikatat janë shkruar nga jashtë dhe me to është marrë me tepër dhe për këtë çështje është marrë më tepër Xheladin Gsshi dhe Nait Hasani”, tha Bashota.

Këtë deklaratë Bashota e dha kur u prezantua komunikata 29 ku thuhej se ishte kryer aksion kundër rektorit të Universitetit Serb në Prishtinë, armikut të përbetuar të shqiptarëve, Radivoja Popoviq ku ishte plagosur edhe shoferi i tij Nikolla Laliq.

Dëshmitari tha se për herë të parë po e sheh këto komunikatë kur u pyet se a është në dijeni nëse Shtabi e kishte tërhequr këtë deklaratë.

Sokol Bashota tha se nuk ka pasur Shërbim Informativ që nga viti 1993 dhe gjatë kohës sa ka qenë ai në Shtabin Qendror.

Më pas, në sallën e gjyqit u diskutua lidhur me disa dokumente për të cilat thuhet se ishin ardhur nga MUP-i serb e që mbrojtja i kundërshtoi që të pranoheshin në prova. Megjithatë, atyre iu dha një numër provizor dhe që vendimi për to pritet të merret në seancën e së hënës me 2 dhjetor 2024.

Pasi përfundoi kjo çështje, prokurori u kthye me pyetje tek dëshmitari lidhur me një takim të Shtabit të Përgjithshëm në Negrovc të mbajtur me 1998-ën.

“Nuk mund ta quaj mbledhje e Shtabit të Përgjithshëm por një takim ka ekzistu”, tha dëshmitari duke shtuar se në këtë takim ishte ai, lahi Brahimaj, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi.

Dëshmitari tha se ky takim ishte mbajtur në kohën kur kishin filluar qytetarët që të mobilizoheshin me armë e që ishin kyçur edhe vullnetarisht në luftë.

Sipas tij, në të njëjtën kohë ishin lansuar edhe propaganda të ndryshime kundër qëllimit të UÇK-së. Si rrjedhojë, ai tha se në atë takim u diskutua që të dilet me zë dhe të flitet për qëllimin e UÇK-së kështu duke e përcaktuar Jakup Krasniqin si zëdhënës të saj.

Bashota tha se në këtë takim janë diskutuar edhe për emërime të tjera por të cilat kanë mbetur vetëm në letër me arsyetimin se në atë kohë ka pasur grupe të vogla të ushtrisë të cilat nuk kanë mundur të ofrojnë pozicione.

Ai gjithashtu tha se nuk e dinë nëse drejtoritë në Shtabin e Përgjithshëm se kur janë krijuar por shtoi se kjo ka ndodhur pas takimit në Negrovc.

“Nuk e di saktë, por më vonë”, tha dëshmitari Sokol Bashota.

Veç kësaj, dëshmitari u pyet se a është i njohur me terminologjinë e NATO-s që përdorte fraza si “G1, G2 etj” për sektorët.

“Bislim Zyrapi është marrë kryesisht me strukturimin e UÇK-së dhe po janë vendos këto G1, G2, G3…”, tha ai duke shtuar se Zyrapi kishte mbërritur në Kosovë pak pas takimit në Nergroc.

Me kaq përfundoi seanca e sotme gjatë të cilës prokurori Halling njoftoi se i duhet kohë edhe për seancën e parë të 2 dhjetorit për t’i përfunduar pyetjet e veta për këtë dëshmitar.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.