
Prania e forcave policore është shtuar ndjeshëm në qendër të Beogradit, pas mbylljes së vendvotimeve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi.
Policia ka vendosur kordone dhe barriera pranë institucioneve kryesore shtetërore, ndërsa qytetarët po presin rezultatet e para të zgjedhjeve.
Sipas raportimit të gazetares Ana Milosavljeviq për The Guardian, një pjesë e rrugës Kralja Milana është bllokuar nga policia.
Në këtë zonë ndodhet selia e Komisionit Republikan Zgjedhor (RIK), institucioni përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve në Serbi.
Përpara kordonit policor janë mbledhur grupe qytetarësh, të cilët po diskutojnë dhe spekulojnë për rezultatet e mundshme të votimit.
Ndërkohë, mbi turmën e mbledhur vazhdojnë të shfaqen reklamat zgjedhore të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në një ekran të madh.
Prani e konsiderueshme policore është vërejtur edhe në Parkun e Pionierëve, përballë Kuvendit të Serbisë.
Dhjetëra pjesëtarë të xhandarmërisë janë shpërndarë në këtë hapësirë, ku ndodhet edhe kampi i njohur si “Ćacilend”, i mbështetur nga qeveria serbe.
Disa prej policëve, të pajisur për ndërhyrje, janë parë duke përdorur telefonat e tyre ndërsa qëndronin në pozicione.
Masa të ngjashme sigurie janë ndërmarrë edhe përpara Presidencës së Serbisë, ku janë vendosur disa kordone policore.