
Me golin e tij, Ballkani siguroi titullin e tretë radhazi në Superligë.
Bernard Karrica hyri nga banka rezervë dhe shënoi golin e vetëm në ndeshjen ndaj Llapit, për t’i fituar klubit të tij trofeun e Superligës së Kosovës.
Pesha e golit dhe paraqitja e treguar në “Zahir Pajaziti” ishin të mjaftueshme që Karrica të shpallet më i miri i xhiros së parafundit në elitë.
Sulmuesi i krahut shënoi në minutën e 74-të të ndeshjes, pas një kundërsulmi të skuadrës së Ilir Dajës.
Pasi mori çmimin “Ylli i Javës” nga FFK-ja, Karrica u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës dhe që skuadra e tij e arriti objektivin e parë të këtij edicioni.
“Ndeshja e djeshme ishte kritike për kampionatin tonë, duke pasur parasysh që ishte vendimtare. Jam shumë i lumtur që me golin që shënova arritëm të fitojmë dhe të shpallemi kampionë. Ky është sukses i gjithë ekipit”
Ballkani u shpall kampion i Superligës në “Zahir Pajaziti” për herë të tretë në histori, dhe atë radhazi.