
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Mirlind Daku pritet të largohet nga Rubin Kazani pas vetëm një vit qëndrimi në futbollin rus.
Forma e mirë e sulmuesit gjilanas në Rusi ka rënë në sy të shumë skuadrave të cilat e duan atë në ekip.
Mediat turke raportojnë se garës për transferimin e Dakut iu është bashkuar edhe gjiganti turk, Besiktasi.
Skuadra nga Stambolli e ka prioritet përforcimin e fazës ofanzive në verë dhe i kanë dërguar Rubin Kazanit ofertë zyrtare për transferimin e sulmuesit nga Gjilani.
26-vjeçari këtë edicion me Rubin Kazanin ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar katër asistime në 28 ndeshje të luajtura në kampionatin rus.
Skuadra nga Rusia shpenzoi plot 1,2 milionë euro për ta transferuar Dakun verën e kaluar nga Osijeku.
Ai ka kontratë me klubin rus deri në qershor të vitit 2026 dhe vlera e tij në treg është rreth 1,5 milionë euro.
Sulmuesi shtatlartë është ftuar nga selektori Sylvinho në Evropianin që do të fillojë gjatë këtij muaji në Gjermani.
Për Dakun ka interesim edhe nga disa skuadra të tjera nga Rusia dhe jo vetëm, teksa vendimin për të ardhmen sulmuesi gjilanas pritet ta marrë pas përfundimit të Evropianit.