
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se nuk beson që Mimoza Kusari-Lila ka bërë tradhti kombëtare me bisedën me terroristin, Milan Radoçiq.
Konjufca para gazetarëve pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se biseda e Kusari-Lilës mund të quhet gabim e pakujdesi, por jo tradhti kombëtare.
“Po flas për të si deputete, e jo si anëtare e koalicionit apo që ka partneritet me Lëvizjen Vetëvendosje. Unë personalisht po ju them që nuk kam asnjë dyshim në orientimin dhe qëndrueshmërinë kombëtare të zonjës Kusai-Lila. Pra, nuk kam asnjë dyshim për tradhti kombëtare apo çfarëdo të kësaj natyre. Mund ta quani ndoshta me një emër tjetër, gabim, pakujdesi e saj, mirëpo sa i përket kësaj se çka më tregon mu kjo që është vazhdimësi i një rasti që ka qenë para 7-muajve. Mendoj që është i njëjti rast ky, vetëm tash po publikohet në sekuenca qysh po i konvenon dikujt. Për mua është më tronditës dhe shqetësues ky inxhinierim që po ndodh sesa baza kombëtare e themeli kombëtar i i zonjës Kusari-Lila”, tha Konjufca.
Ai shtoi se Radoçiq ka përjetuar humbjen më të madhe në Kosovë këto dy vitet e fundit, siç tha ai për shkak të vendosmërisë së Qeverisë së Kosovës për të shpërbërë të gjitha strukturat e tij kriminale.
“Ju e dini që Radoçiq e ka përjetu humbjen më të madhe në Kosovë këto dy vitet e fundit. Ai ka humbur gjithçka që ka pasur në Kosovë, për shkak të vendosmërisë së Qeverisë për me i shpërbë dhe shpartallu të gjitha strukturat e tij kriminale, duke përfshirë edhe pronat e tij milionësh. Ai si kriminel e terrorist po don me vazhdu këtë betejë në këtë mënyrë, po don në këtë mënyrë me e zbeh legjitimitetin e intervenimit të Qeverisë në pjesën e veriut. Për mua shumë më shqetësuese është kjo”, tha Konjufca.
Emri Kusari-Lilës është lakuar shumë këtë javë, që kur u publikua një sekuencë e telefonatës së saj me terroristin Milan Radoiçiq. Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, më në fund është bërë e gjallë.
Protagonistja e bisedës me Slavko Simiqin, gjatë të cilës ishte telefonuar edhe Radoiçiqi, që bisedoi për pak minuta me të, i ka quajtur “deklarata të vitit të kaluar”.
“Deklarata të vitit të kalum janë ato, para dy vjete”, ka thënë Kusari-Lila sot kur është pyetur nga Betimi për Drejtësi për audio-incizimin e publikuar të hënën.
Ajo nuk është përgjigjur nëse kryeministri Kurti ka qenë në dijeni për këtë komunikim.