
Besnik Bislimi – Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, sot në “Konferencën Rajonale të Misioneve Norvegjeze në Evropën Juglindore”, tha se Kosova është e orientuar drejt një zhvillimi gjithëpërfshirës.
“Liberalizimi i vizave është një çështje që po trajtohet me përparësi dhe po punohet për të patur zhvillime pozitive dhe dinamikë të re në këtë çështje, për të cilën Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe po punon ngushtë me shtetet anëtare të BE-së. Gjithashtu, gjatë vitit të fundit, është shënuar dhe progresi më i madh dhe i rëndësishëm në implementimin e reformave në fusha kyçe në kuadër të agjendës evropiane, kur jemi tashmë në vitin e gjashtë të implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Kosova është gati për sfida të reja, hapa të mëtejme dhe status më të avancuar në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian”, bëhet e ditur në njoftim./Gazeta10