Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Bislimi mirëpret vendimin për liberalizimin e vizave, e quan hap të rëndësishëm

Gazeta10
30 November 2022 - 15:11

Zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka mirëpritur vendimin sot për liberalizimin e vizave, duke e quajtur atë si një hap të rëndësishëm, raporton Gazeta10.

Bislimi ka thënë se ka qenë një proces i gjatë i takimeve deri kur është arritur tek burimi i problemit.

Më tej, ai ka thënë se është punuar në luftën kundër korrupsionit, në rritjen e sundimit të ligjit së bashku me forcimin e kontrolleve kufitare si dhe menaxhimin e migrimit.

Tutje, ai ka thënë se kjo temë ka pasur shumë vite të ngecjeve dhe pritjeve të tejzgjatura.

Ai ka falënderuar Presidencën e Çekisë të Këshillit të BE-së për këtë vendim.

Këtu keni statusin e plotë:

“Një hap i rëndësishëm është hedhur sot drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Mirëpresim dakordimin mes ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për ta kaluar procesin drejt fazave të rradhës, deri në vendimin final.

Ka qenë një proces i gjatë i takimeve konsultative me vendet skeptike, ku kemi marrë burimin e problemit. E kemi trajtuar atë dhe theksuar se vendi ynë gjatë vitit të fundit ka shënuar progres madhor në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe menaxhimin e migrimit. Puna, përkushtimi dhe angazhimi në këtë proces, u riafirmua sot dhe nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Pas shumë viteve ngecje e pritjeve të tejzgjatura, çështja e liberalizimit të vizave ecën tutje në procedurat e vendimmarrjes në institucionet e BE-së, ku faza e rradhës është ajo ndër-institucionale mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian, nga ku presim që procedurat të kalohen shpejt dhe të kthehen në Këshillin e Ministrave për vendimin final.

Falenderues ndaj Presidencës së Çekisë të Këshillit të BE-së, për vëmendjen e tyre të veçantë dhe përkushtimin në shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave, si dhe të gjitha shteteve anëtare që e kanë mbështetur aktivisht Republikën e Kosovës në këtë proces.”, ka shkruar Bislimi në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.