
Raporti: Bleona Dallaveraj
Në pamundësi të gjetjes së mbështetjes, bizneset kanë filluar të gjejnë shpëtimin tek kreditë. Megjithatë, në të njëjtën kohë bankat shtrënguan kushtet për dhënien e kredive, madje edhe të normës së interesit në kredi. Veprime të njëjta pritet të bëjnë edhe në tremujorin e tretë të këtij viti. Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë u kanë bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa për të ndihmuar bizneset.
Kriza ekonomike në vend po vazhdon të njoh thellimin, derisa bizneset e kanë gjetur shpëtimi e tyre në marrje të kredive.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në korrikun e këtij viti, vlera e kredive të reja të dhëna për bizneset ishte 83.1 milionë euro apo 17 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Rritja e kërkesës së bizneseve për kredi është përfshirë edhe në Anketën e Kreditimit Bankar, në të cilin është thënë se rritja e çmimeve, ndikoi që sektori bankar ti shtrëngoj kushtet.
Faktori kryesor që ndikoi negativisht standardet kreditore ishte perspektiva e tregjeve ndërkombëtare me indeks negativ prej 0.16, duke iu referuar ndikimit të rritjes së çmimeve në nivel global.
Shtrëngimi i kushteve të dhënies së kredive ishte tek normat e interesit, ndërkohë që ndërmarrjet e mëdha u ndikuan negativisht edhe në vendosjen e maturitetit dhe shumën e aprovuar të kredive të reja.
Sektori bankar do të vazhdojë edhe në tremujorin e tretë të këtij viti të aplikojë kushte dhe rregulla të shtrënguara në normat e interesit dhe në shumën e aprovuar.
Shtrëngimi i masave vërehet në normën mesatare të interesit në kredi, ku në qershor ajo ishte 6.2, derisa në korrik u rrit në 6.6%.
Eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu ka kërkuar nga institucionet që të përkrahin bizneset, në mënyrë që ato të mos detyrohen të gjejnë shpëtimin vetëm tek kreditë.
Ndërkaq sipas njohësit të ekonomisë Mustafë Kadrijaj, shqetësuese për bizneset kosovare është edhe norma e interesit që bankat po e aplikojnë.
Ndërkohë, rritja e cmimeve dhe e inflacionit nuk ka të ndalur.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë muajit gusht, norma e inflacionit ka arritur në 13% në krahasim me muajin e njëjtë të një viti më parë, kurse krahasuar me një muaj më parë, inflacioni pësoi rritje për 0.2%. Kanal10.