Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Tri vdekje që brenda një dite tronditën Kosovën

Gazeta10
24 August 2026 - 18:35

Tri ngjarje tragjike kanë tronditur Kosovën gjatë ditës së sotme – vrasja e një gruaje shtatzënë 34-javëshe në Malishevë, humbja e jetës së një 18-vjeçari nga Kosova në Shëngjin dhe vdekja e një punëtori në një vendpunishte në Veternik të Prishtinës.

Gruaja shtatzënë u vra në Malishevë

Një grua 25-vjeçare, shtatzënë në javën e 34-të, ka humbur jetën pasi u plagos me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës nga bashkëshorti i saj.

Sipas QKUK-së, gruaja dhe bashkëshorti i saj, 26-vjeçar, u pranuan në Qendrën Emergjente rreth orës 00:15, pasi dyshohet se kishin marrë plagë nga arma e zjarrit.

Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, ka konfirmuar se gruaja ishte shtatzënë në javën e 34-të.

“Dy të plagosur me armë zjarri nga Malisheva, një femër dhe një mashkull, femra shtatzënë 34 javëshe, edhe përkundër të gjitha masave reanimatore të ndërmarra nga ekipi kujdestar nuk ka mundur t’u përballojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në QE”, ka thënë Syla.

Bashkëshorti i saj, sipas QKUK-së, është i intubuar dhe i kyçur në respirator, ndërsa gjendja e tij vazhdon të jetë shumë e rëndë dhe jo stabile.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

18-vjeçari nga Kosova vdes në Shëngjin

Një tjetër tragjedi ka ndodhur në bregdetin shqiptar, ku një 18-vjeçar nga Kosova është gjetur pa shenja jete në ujë, në zonën e Kunes në Shëngjin.

Ende nuk janë të qarta rrethanat e vdekjes së të riut. Po hetohet nëse ai është mbytur apo ka pësuar arrest kardiak gjatë qëndrimit në det.

Trupi i pajetë është transportuar në morgun e Lezhës, ku pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Punëtori humb jetën në vendpunishte në Veternik

Një punëtor ka humbur jetën edhe në një vendpunishte në lagjen Veternik të Prishtinës, pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë punimeve në një objekt banesor në ndërtim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se për rastin është ndaluar një person për 48 orë.

“Sot, rreth orës 10:30, Prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm është njoftuar për një aksident të ndodhur në një vendpunishte në lagjen ‘Veternik’ në Prishtinë, ku një punëtor ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, viktima dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë kryerjes së punimeve dhe, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore, ka humbur jetën.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një person i dyshuar me inicialet Xh.Sh., për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’”, bëhet e ditur në njoftim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.