Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Blerim Ramadani i arratisur nga Maqedonia e Veriut, dyshohet se ndodhet në Ferizaj

Gazeta10
15 August 2024 - 21:20

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani, i cili është arratisur nga arresti shtëpiak në Maqedoninë e Veriut të enjten, dyshohet se ndodhet në Ferizaj.

Faqja “Fshati Jezerc” ka postuar një fotografi të Ramadanit me një person tjetër, teksa i ka uruar mirëseardhje në vendlindje.

“Mir se erdhe. Sot ka mbërri shendosh e mir në Ferizaj i Arrestuari në Maqedoni Blerim Ramadani por u Arratis nga paraburgimi shtëpiak në Maqedoni”, është shkruar në këtë postim.

Ramadani ishte arrestuar në muajin korrik në kufirin Kosovë-Maqedoni me urdhër të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut të enjten ka konfirmuar arratisjen e Ramadanit nga shtëpia e të afërmve.

“Autoriteti gjyqësor kompetent ka dorëzuar dokumentacion në Ministrinë e Punëve të Brendshme për dhënien e fletarrestit qendror për personin B.R. pasi aktualisht është i pa qasshëm për organet e ndjekjes. MPB po ndërmerr masa për gjetjen e personit”, konfirmuan nga MPB.

Ramadani, në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të Interpolit nga Serbia, më 17 korrik 2024 u arrestua në pikën kufitare të Jazhincë dhe u dërgua në burgun e Shutkës për 30 ditë paraburgim ekstradues.

Gjykata kompetente maqedonase më 1 gusht ia ka ndryshuar dënimin Ramadanit nga “paraburgim” në “arrest shtëpiak” dhe sipas vendimit ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte parashikuar që ai të qëndronte në “arrest shtëpiak” deri më 16 gusht.

Autoritetet serbe e akuzojnë Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes verën e vitit 1999, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës (MPJD).

Ramadani, sipas MPJD-së, ka qenë anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.