Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Blerta Deliu-Kodra: Kosova po përballet me varfëri, stagnim dhe ikje masive të qytetarëve

Gazeta10
20 May 2026 - 0:29

Blerta Deliu-Kodra ka kritikuar gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duke deklaruar se Kosova po kalon vite stagnimi, varfërimi dhe mungese të zhvillimit.

Në emisionin “Adresa”, Deliu-Kodra tha se qytetarët janë të shqetësuar kryesisht për rritjen e çmimeve dhe kostos së jetesës, ndërsa bizneset, sipas saj, po përballen me vështirësi serioze.

“Çmimet janë brenga kryesore me të cilën preokupohen sot qytetarët e Kosovës. Çmimi i rrymës është aq shumë i rritur, sa që bizneset sot janë para kolapsit”, deklaroi ajo.

Sipas saj, shumë familje e kanë të pamundur ta përballojnë muajin për shkak të rritjes së kostos së jetesës, kredive dhe mungesës së rritjes së pagave.

“Kemi familje që e kanë të pamundur të dalin muaj për shkak të kostos së lartë të jetesës. Në këtë gjendje të rëndë vetëm një gjë ka mbetur e njëjtë – pagat”, tha Deliu-Kodra.

Ajo kritikoi edhe qeverisjen e viteve të fundit, duke thënë se për gjashtë vite nuk është realizuar asnjë projekt strategjik që do të ndryshonte jetën e qytetarëve.

“Për gjashtë vite nuk e kemi një projekt strategjik që sot mund ta përmendin qytetarët e Kosovës”, u shpreh ajo.

Tutje, Deliu-Kodra ngriti shqetësimin për largimin e qytetarëve nga vendi, duke thënë se Kosova po humb mijëra qytetarë çdo vit, përfshirë edhe profesionistë të fushave të ndryshme.

“Për pesë vite, 400 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendin. Në bazë vjetore i kemi rreth 40 mijë qytetarë që largohen nga Kosova”, deklaroi ajo.

Sipas saj, mungesa e zhvillimit, polarizimi politik dhe propaganda kanë ndikuar në humbjen e shpresës tek qytetarët.

“Ka mungesë të shpresës dhe nuk ka asnjë projekt që e ka ndryshuar jetën e qytetarëve të Kosovës. Një qeverisje nuk matet me propagandë, por me atë çfarë ka ndryshuar për qytetarin”, përfundoi Deliu-Kodra.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.