
Raporti: Arbenita Ilazi
Edicioni i 21-të i Fetivalit “Hardh Fest”, do të mbahet me 2, 3 dhe 4 shtator. Në konferencën për media, organizatorët kanë thënë se pritjet e tyre janë që ky edicion t’i mbledhë mbi 100 mijë vizitorë. Ky edicion mbahet nën patronatin e kryetarit të Rahovecit, me përkrahjen të Ministrisë së Kulturës dhe Bujqësisë. Përveç aktiviteteve të ndryshme, pjesëmarrësit do t’i argëtojnë edhe artistë eminent. Ylli i këtij festivali do të jetë legjenda amerikane e rokut, Kip Winger, shkruan Gazeta10.
“Ca kokrra rrushi”, është sllogani i edicionit të 21-të i festivalit “Hardh Fest”, i cili do të mbahet me 2, 3 dhe 4 shtator.
Me synim të promovimit të verërave të Rahovecit, do të organizohen aktivitete të ndryshme, ku do të performojnë artistë vendorë e të huaj.
Drejtori artistik i festivalit,Gardalin Shtavica, ka thënë se pritjet janë që festivali do të ketë 100 mijë vizitorë në festën e vjeljes së rrushit.
Komuna e Rahovecit, këtë edicion e ka përkrahur me 25 mijë euro.
Partner të organizimit të festivalit “Hardh Fest” është veraria “Stone Castle”.
Sipas organizatorëve, për të vënë në pah traditat e vreshtarisë, do të organizohen aktivitete të ndryshme, si gara për shtrydhjen dhe vjeljen e rrushit, po ashtu edhe vizita në vendet e trashëgimisë kulturore të Rahovecit.
Edicioni i 21-të i Festivalit “Hardh Fest”, i kushtohet poetit e shkrimtarit Xhevdet Bajraj, i cili vdiq në qershor të këtij viti. /Gazeta10