
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Vlora Çitaku, në një prononcim për medie para fillimit të mbledhjes së Këshillit Drejtues të kësaj partie, tha se Kosova po kalon ditët më të vështira që nga viti 1999, por ajo ka theksuar se e dinë që s’i kanë numrat për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.
Ajo tha se e kanë obligim kombëtar që të merren vendime të guximshme e të drejta, më qëllim që të ruhet trajektorja euroatlantike e Kosovës.
“Ne nuk guxojmë që të sillemi me indiferencë karshi një situatë të tillë ne nuk guxojmë të stimulojmë normalitet në një gjendje kaq të rëndë. E kemi jo obligim partiak, e kemi obligim kombëtar që sot të marrim vendime të guximshme, të drejta, ndonëse mund të jenë jo popullore por më e rëndësishmja është qe të marrim vendime të cilat shpresojmë që do ta ruajnë trajektoren euroatlantike të Republikës së Kosovës”, theksoi Çitaku.
Sipas saj, asnjëherë më parë në këto tri dekada Kosova nuk ka qenë më e vetmuar, më e izoluar, më e përjashtuar.
“E vërteta e dhimbshme është që Kosova po kalon ditët më të vështira që nga viti 1999. Asnjëherë më parë në këto tri dekada Kosova nuk ka qenë më e vetmuar, më e izoluar, më e përjashtuar … Ne jemi të vetëdijesh që nuk i kemi numrat si opozitë për të votuar një mocion të mosbesimit, mirëpo ka mënyra edhe të tjetra, mund të bëhet shpërndarja e Kuvendit e të tjera, për detajet do t’i komunikoj kryetari pas mbledhjes”, tha ajo.
Me ftesë të kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi, po mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues të PDK-së. Çitaku ka theksuar se pas përfundim të mbledhjes kryetari Krasniqi do të mbaj një konferencë për shtyp për vendimet që do të dalin nga kjo mbledhje.