
Teksa presidenti amerikan Donald Trump po shprehte zemërimin gjatë një mbledhjeje në Shtëpinë e Bardhë këtë pranverë se vendet e tjera anëtare të aleancës së NATO-s kishin refuzuar t’i bashkoheshin luftës së tij kundër Iranit, ai pati një ide.
Po sikur ta zvogëlonte me një të tretën praninë e forcave amerikane në Europë, pyeti ai, sipas dy personave të njohur me bisedën. A do t’ua dërgonte kjo të ashtuquajturve aleatë mesazhin e duhur?
Rreth kohës kur Trump e hodhi këtë ide, Pentagoni anuloi papritur dy dislokime ushtarake amerikane në Europë dhe urdhëroi tërheqjen e personelit tjetër nga kontinenti, shkruan CNN.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte planifikuar të njoftonte në një takim të NATO-s në qershor shkurtime edhe më të mëdha, të cilat mund të arrinin deri te reduktimi me një të tretën që e kishte përmendur Trump, sipas dy burimeve. Por plani ndryshoi pas konsultimeve me zyrtarë të tjerë të lartë të administratës dhe, në vend të kësaj, Hegseth shpalli një rishikim gjashtëmujor të pranisë së forcave amerikane në Europë.
Zemërimi i Trumpit – dhe kërcënimet e tij – po ushtrojnë presion mbi aleancën 77-vjeçare të NATO-s. Asnjëherë veçanërisht entuziast për të garantuar mbështetjen amerikane për mbrojtjen e Europës, Trump është bërë edhe më skeptik, duke pretenduar se aleatët më të vjetër të Amerikës nuk ishin pranë tij kur ai kishte nevojë për ta, pasi nisi luftën kundër Iranit.
Ai nuk e ka përjashtuar kurrë në mënyrë të qartë mundësinë e përpjekjes për ta tërhequr SHBA-në nga NATO dhe vazhdimisht e vë në pikëpyetje vlerën e aleancës për Shtetet e Bashkuara, duke argumentuar se Amerika po e mban barrën e sigurisë së Europës.
Trump ka kërcënuar gjithashtu se do ta marrë Grenlandën nga një tjetër shtet anëtar i NATO-s dhe herë pas here ka treguar mirëkuptim ndaj presidentit rus Vladimir Putin, për të cilin disa zyrtarë europianë druhen se mund të jetë duke planifikuar operacione në territorin e NATO-s për ta testuar vendosmërinë e aleancës.