
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka folur në mediat serbe për marrëveshjen në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se në takimin mes Kurtit dhe Vuçiqit gjithçka është bërë në përputhje me politikën shtetërore.
Daçiq ka thënë se në Ohër kanë mbrojtur interesat kombëtare e shtetërore.
“Kishte rrezik që Serbia të akuzohej për kolapsin e dialogut. Tashmë që vihet vija, nuk ka pse të mos thuhet se me politikën e mençur dhe burrështetrore të Aleksandër Vuçiqit arritëm të mbrojmë interesat kombëtare dhe shtetërore.” ka thënë Daçiq.
Kryediplomati serb, gjithashtu është shprehur së për herë të parë kemi marrë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, transmeton Gazeta10.
“Asociacioni është fitorja jonë më e madhe që nga 1999-ta, është institucioni ynë i parë në Kosovë që nga atëherë, dhe nuk është shteti i Serbisë, prandaj është e rëndësisë jetike të themelohet”, tha Ivica Daçiq.
Rreth takimit trelateral në Ohër, Daçiq u shpreh i bindur se gjithçka u negociua në bazë të politikë shtetërore të Serbisë.
“Ekzistonte rreziku që Serbia të jetë ajo që akuzohet për kolaps të dialogut. Dua t’ua rikujtoj se Albin Kurti ngulte këmbë në njohje të ndërsjellë, njoftonte se kurrë s’e pranon Asociacionin, deklaronte një milion kushte për formimin e tij”, tha ai.
Ndërkaq në Ohër, sipas tij, Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë obligim ligjor ndërkaq pranimi i marrëveshjes ishte për Aneksin e Zbatimit duke ndjekur vijat e kuqe të Serbisë.
“Nuk do të ketë njohje të Kosovës dhe as pranim të saj në OKB”, u shpreh i bindur ai.