Ballkani nuk do ta ketë në formacion mesfushorin Lindon Emërllahu, si dhe sulmuesin Albion Rrahmani për ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Emërllahu ka pësuar një lëndim dhe nuk do të jetë i gatshëm të paraqitet kundër Lincoln Red Impsit të Gjibraltarit, ndërsa Rrahmani, ditë më parë kompletoi transferimin te Rapidi i Bukureshtit.
Ballkani do të luajë kundër Lincolnit, të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja nis në orën 20:45. Mungesat në formacion kanë bërë që trajneri Ilir Daja të mos e llogaritë favorit Ballkanin, dy herë rresht kampionin e Kosovës.
Por, ai ka thënë se do të mundohet që me Ballkanin ta kalojë fillimisht këtë kundërshtar, e më pas të mendojë për fazën grupore të Ligës së Konferencës. Do të ishte përsëritje e suksesit të vitit të kaluar. Megjithatë, për të luajtur në fazën e grupeve, Ballkani duhet të avancojë edhe nga plejofi i kësaj gare.
Daja theksoi të mërkurën në konferencën për shtyp se në rrethin e tretë kualifikues të nivelit të tretë të garave të UEFA-s, nuk ka ndeshje të lehta apo të vështira. Ai insistoi se ekipi i tij duhet të jetë i përqendruar në të dyja ndeshjet, në mënyrë që të merret maksimumi.
“Mendimi im është 50 me 50 sepse kemi pasur tri ditë kohë për ta përgatitur ndeshjen, ndërsa kundërshtari ka pasur tri javë kohë. Turin e dytë nuk ka luajtur si duket me problemet e shortit. Ata kanë pasur tri javë kohë dhe ne kemi pasur tri ditë kohë. Prandaj, them që nuk është favorit as Ballkani e as kundërshtari. Gjasat janë 50 me 50. Kështu, do të futemi në fushë, duke e respektuar maksimalisht si një kundërshtar të turit të tretë të Ligës së Konferencës”, është shprehur Daja.
Daja e pranoi se Rrahmani do të jetë vështirë për t’u zëvendësuar. Por ai theksoi se edhe largimi i tij e ka një të mirë, ashtu siç e kishte edhe ai i Ermal Krasniqit. Thotë se skuadra ka fituar në aspektin financiar, ndërsa vetë futbollistët janë larguar drejt një kampionati më cilësor se ai i Kosovës. Ndërkohë, për Emërllahun shtoi se është më i miri në pozitën e tij në futbollin kosovar, atë të mesfushorit defensiv.
Përkrah trajnerit Daja, në konferencën për shtyp ishte edhe qendërmbrojtësi me përvojë, Bajram Jashanica. Jashanica ishte pjesë e suksesit të Ballkanit në edicionin e kaluar. Edhe ai përmendi largimet dhe lëndimet në skuadër, por theksoi se secili që do të luajë, do ta jap maksimumin ndaj kampionit të Gjibraltarit.
“Duke e ditur që çfarë grupi kemi, normalisht e kemi në mendje atë që jemi sado-kudo pak favorit. Kjo nuk do të thotë që të futemi me atë ndjenjë që ne do të jemi shumë më të mirë sesa kundërshtari. Kemi thënë gjithmonë se ne të gjithë i vlerësojmë maksimalisht, Lincolnin apo çdo skuadër tjetër që e kemi pasur. Fokusohemi te ndeshja e radhës. Kemi mungesa të cilat i përmendi edhe profesori, por secili që jemi aty do ta japim 100 për qind në mënyrë që të mos vërehet mungesa e Rrahmanit apo Emërllahut”, është shprehur Jashanica.
Në rast të kalimit të këtij kundërshtari, Ballkani do të luajë në plejofin e Ligës së Konferencës kundër humbësit të duelit mes Sheriff Tiraspolit të Moldavisë apo BATE Borisovit të Bjellorusisë.
Këto skuadra përballen në rundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Në edicionin e kaluar të Ligës së Konferencës, Ballkani ishte në grup me Sivassporin, Clujin dhe Slavia Pragën. E pati një fitore e një barazim, por përfundoi e fundit në Grupin G.
Këtë edicion, Ballkani garat evropiane i nisi në Ligën e Kampionëve, por u eliminua në raundin e parë kualifikues nga Ludogoretsi i Bullgarisë. Garat i vazhdoi në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku e eliminoi Larnen e Irlandës së Veriut.
Tani, Ballkani synon ta kalojë edhe Lincolin për ta prekur plejofin, përpara se të mendojë për t’u paraqitur sërish në fazën e grupeve.