
Zhvillimet politike në vend dhe zgjedhja e presidentit brenda afatit të mbetur, ishin temat e diskutimit ndërmjet ushtrueses së detyrës së presidentes Albulena Haxhiu dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen sot në Prishtinë.
Haxhiu ka shprehur shqetësimin e saj dhe të qytetarëve të Kosovës për vendimin e padrejtë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet heqje lirie.
“Nënvizova se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në procesin e apelit. Në këtë drejtim, do të angazhohemi për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, duke i bashkërenduar veprimet me ekipet mbrojtëse dhe ekspertët, në mënyrë që mbështetja jonë t’u shërbejë sa më mirë atyre në këtë proces”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka theksuar nevojën që BE-ja ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar më 14 dhjetor 2022, si dhe ka kërkuar angazhimin direkt të presidentes von der Leyen në këtë proces.
“Bisedova edhe për zbatimin e Planit të Rritjes dhe reformat që na presin. Kosova ka dorëzuar Agjendën e Reformave, ka ratifikuar marrëveshjet përkatëse dhe ka filluar të përfitojë nga parafinancimi”, ka thënë Haxhiu.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ndodhet sot për vizitë në Kosovë si pjesë e turneut të saj në disa nga vendet e Ballkanit.