Është deklaruar i pafajshëm i akuzuari Arsim Syla, për rastin e vrasjes së V.B në “Interex” në Podujevë.
Një gjë e tillë u bë e ditur nga gjykatësja e rastit, Fatime Dërmaku pasi që seanca e paraparë për tu mbajtur ditën e sotme në ora 14:00 ishte mbajtur në ora 13:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo pasi që sipas gjykatëses Dërmaku, gjykatësi Avni Syla kishte rast vdekje dhe mbajtja e seancës më herët se që ishte planifikuar, ishte e domosdoshme.
Po ashtu gjykatësja Dërmaku, tha se palët janë njoftuar që brenda afatit prej 30 ditësh mund të bëjnë kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 mars 2024, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Arsim Syla, pasi që i njëjti me qëllim të hakmarrjes, për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët, gjatë vitit 2022, me tani të ndjerin V.B dhe Sh.R, i pandehuri kishte porositur djalin e tij të mitur L.S, që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V.B.
Tutje, në aktin akuzues thuhet se më 11 shtator 2023 i pandehuri Syla me djalin e tij të mitur L.S, kishin shkuar në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë, ku rreth orës 12:19, kishin vërejtur të ndjerin V.B, duke hyrë në market bashkë me bashkëshorten e tij, të dëmtuaren L.S dhe fëmijën e tyre 4 vjeçar.
Sipas aktakuzës i pandehuri Syla me djalin e tij L.S, dalin nga restauranti, ku Syla e orienton të miturin L.S në drejtim të të ndjerit V.B, i cili vihet në ndjekje të tij, ndërsa i pandehuri Syla vazhdon për të dalë nga objekti dhe në momentin kur i ndjeri V.B bashkë me bashkëshorten e tij L.S dhe fëmijën e tij arrijnë tek sektori i produkteve të qumështit, i mituri L.S i afrohet nga mbrapa dhe fillimisht shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit V.B.
I njëjti duke e qëlluar në shpinë dhe qafë, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B dhe e qëllon edhe të dëmtuaren bashkëshorten e tij, L.S, e cila fillimisht kishte filluar të ikë në momentin kur kishte dëgjuar krismën, ndërsa i mituri L.S nga çanta kishte nxjerrë revolen tjetër me të cilën qëllon edhe katër herë në kokën e tani të ndjerit V.B, i cili tanimë ishte i shtrirë në tokë.
Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma i zjarrit, i ndjeri V.B, vdes në vendin e ngjarjes ndërsa e dëmtuara L.S, dërgohet në QKUK nga plagët e rënda që ka pësuar menjëherë pas të shtënave.
Kurse, i mituri L.S., me shpejtësi kishte dalur nga ‘Interex’ duke u larguar në këmbë në drejtim të panjohur, kurse i pandehuri Syla ishte ofruar tek vetura e tipit ‘Mercedes E200’, të cilën e kishte parkuar përballë ‘Interex’ dhe kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik në Podujevë, ku edhe ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, ishin gjetur dhe sekuestruar, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje, me 62 fishekë të pistoletës si dhe 20 fishekë të pushkës së gjuetisë dhe 2 antiplumba.
Me këtë i pandehuri Arsim Syla, në bashkëkryerje me të miturin L.S, kishte kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.