
Një banor i fshatit Gabime e Epërme në Lipjan po ankohet se tash e tri vjet nuk i është bërë zgjidhje e një problemi që ia ka vështirësuar jetën. Ai thotë se janë dëmtuar gypat e ujërave atmosferikë që kalojnë nëpërmjet oborrit të tij, por që komuna nuk po e zgjidh problemin. Komuna e Lipjanit dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, për këtë ia kanë hedhur njëra-tjetrës topin e përgjegjësisë, raporton Gazeta10.
Raporti: Val Ajazi
Kamera: Ron Hashani
Islam Murtezit nga Gadimja e Epërme e Lipjanit në këtë mënyrë i vërshohet oborri nga uji dhe mbeturinat.
Oborri i shtëpisë së tij merr këtë pamje, sa herë që ka të reshura të shiut.
Me këtë gjendje, ai po përballet nga viti 2019, pasi që janë dëmtuar gypat e ujërave atmosferike që Komuna e Lipjanit i kishte shtrirë përmes oborrit të tij.
Ai thotë se kjo ia ka vështirësuar jetesën, pasi që aty përfundojnë edhe ujërat e zeza dhe se nuk po mund ta punojë as tokën.
Murtezi thotë se pavarësisht që kishte pranuar që gypat të kalonin nëpërmjet pronës së tij, cilësia e dobët e punimeve kanë shkaktuar edhe plasaritjen e tyre.
Për këtë problem, ai thotë se vazhdimisht është ankuar, por që tash e tri vjet nuk i është bërë zgjidhje.
Por, nga Komuna e Lipjanit kanë thënë se ata nuk janë përgjegjës për këtë projekt.
Në një përgjigje me shkrim nga zyra për media e kësaj komune, është thënë se kompetente për ndërhyrje në këto gypa është Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.
Ndërkohë, nga kjo kompani kanë thënë se përgjegjësi e saj është vetëm mirëmbajtja e rrjetit, ndërsa gypat janë kompetencë e Komunës së Lipjanit.
“Në moment që po përmenden ujërat atmosferike, absolutisht kjo nuk është përgjegjësi e KRU Prishtina, por është përgjegjësi e nivelit lokal. Ujësjellësi i mirëmban vetëm pusetat/ kolektorët e ujërave të ndotura. Atmosferikun e ka komuna”
Ndryshe, fshati Gadime e Epërme i Lipjanit, ende nuk ka rrjet të kanalizimit, për çka banorët i kanë bërë thirrje komunës që të investojë në këtë drejtim./Gazeta10.