
Zyrtarët e partisë në pushtet nuk janë shprehur te kënaqur me dënimin që sot Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka dhënë deputetit të AAK-së, Pal Lekaj.
Dënimi prej 3 vitesh e 8 muaj burgim për aferën e “53-milionshit” për zyrtarët e lartë të VV-së është qesharak.
Ndër të parët që ka reaguar ndaj këtij dënimi ka qenë deputeti i VV-së, Dimal Basha.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky dënim iu jep shpresë kriminelëve.
“Dënimi me 44 muaj burgim për 53 milion euro është qesharak! Kjo miq i bie që 53 milion euro dëm po lahen me 1320 ditë burg, ose ndryshe thënë, kjo i bie se një ditë burg po paguhet për cdo 40 mijë euro dem shtetit. Trup, sepse ky dënim i jep shpresë shumë kriminelëve!”, ka shkruar Basha.
Vendimin e gjykatës e ka kritikuar edhe zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Avni Zogiani.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se as në korporata multinacionale nuk mund i merr kaq për 3-4 vjet.
“3 vjet e 8 muaj per 53 milione! Goxha njefar hesapi! As ne korporata multi-nacionale sun i merr kaq per 3-4 vjet!”, ka shkruar Zogiani.