Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Dënimi i Mustafës, Kurti: Ky vendim është indinjues, shpresoj se do të reflektohet në shkallët e tjera të gjykatës

Gazeta10
16 December 2022 - 19:04

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimi për dënimin e Salih Mustafës është indinjues, raporton Gazeta10.

Ai e filloi reagimin e tij duke i bërë disa krahasime të dënimeve ndër vite.

Kurti ka thënë se ka mijëra vrasës nga Serbia që nuk janë gjykuar dhe as dënuar.

Më tej, ai ka thënë se mbetet me shpresë që do të kuptohet padrejtësia.

Kurti ka thënë se lufta kundër okuptorëve është e drejtë universal.

Këtu keni postimin e plotë:

“Masakruesi i familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, i cili vrau 16 civilë shqiptarë të papërfshirë në luftë, anëtari i njësitit famkeq që mori pjesë edhe në Masakrën e Srebrenicës ‘’Shkorpjonët’’, Sasha Cvjetani, u pat dënuar me vetëm 20 vite. Ai madje ishte liruar në vitin 2018, 3 vite e gjysmë para përfundimit të dënimit për siç thuhej “sjellje të mirë’’, edhe pse ka vrarë fëmijë që kanë qenë duke fjetur. Sasha Cvjetani ka qenë pjesë e rezervistëve të Serbisë, që u angazhuan për gjenocid në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Ndërkohë vetëm dje e kuptuam që ai para ca ditësh është arrestuar në Athinë të Greqisë si pjesë e një karteli të drogës.

Ndërkohë ka mijëra vrasës nga Serbia që kurrë nuk janë dënuar e as gjykuar për mizoritë që i kanë bërë në Ballkan. Vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë. I bie që secili prej të dënuarve serbë mesatarisht të ketë vrarë mbi 462 shqiptarë dhe të ketë dhunuar 770 syresh.

E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet.

Ky verdikt është indinjues. Cili është mesazhi që i jep ky verdikt ukrainasve që sot luftojnë kundër agresorit?

Mbetem me shpresën se institucionet e pavarura të drejtësisë do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit.

Lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale. Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal. Sot e gjithmonë jemi solidarë me luftëtarët dhe me UÇK-në tone”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Sot Salih Mustafa është dënuar me 26 vjet burg nga Gjykata Speciale në Hagë, vendim që është pritur me kundërshtime të mëdha në Kosovë.

Kujtojmë se në qendrën e paraburgimit në Hagë gjendet edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi si dhe Rexhep Selimi të cilët akuzohen për krime lufte. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.